Zyrtarisht vera po e mbyll kapitullin e saj për këtë vit, por temperaturat e larta dhe plazhi nuk po ndalen.
Këtë e tregon jo vetëm frekuentimi i lartë në plazhe, por edhe lëvizjet në pikat kufitare me Shqipërinë.
Morina, pika e kalimit kufitar Shqipëri-Kosovë, vijon të përballet me fluks të lartë hyrje-daljesh, shkruan A2. Vetëm javën e fundit, nga kjo pikë janë regjistruar 200 mijë hyrje, kryesisht qytetarë nga Kosova që i drejtohen zonave bregdetare. Sipas të dhënave të Drejtorisë për Kufirin dhe Emigracionin, vetëm këtë fundjavë përmes Morinës kanë hyrë në territorin shqiptar mbi 51 mijë qytetarë të Kosovës dhe mbi 14 mijë mjete.
Fluksi i lëvizjeve ka qenë mjaft i lartë, jo vetëm gjatë gushtit, por edhe në muajt e tjerë të verës. Afro 1,4 milionë qytetarë kanë hyrë nga Kosova drejt Shqiperisë gjatë sezonit veror, ku destinacioni kryesor kanë qenë zonat bregdetare të Shqipërisë. Me ardhjen e shtatorit, pritet që lëvizjet në Morinë, veçanërisht në drejtim të Kosovës, të rriten për shkak të kthimit të pushuesve dhe përgatitjeve për nisjen e vitit të ri shkollor. (A2 Televizion)