E shënjuar nga Ukraina, Porti Durrës nuk lejon ankorimin e anijes cisternë

Nga A2 CNN
29 Gusht 2026, 15:18 | Aktualitet

Kapiteneria e Portit të Durrësit ka ndaluar hyrjen e anijes “Hanuman” në radën e Portit të Durrësit. Vendimi i marrë të premten u dha pasi anija u identifikua si pjesë e “Shadow Fleet”, flotës hije ruse, nga Inteligjenca Ushtarake e Ukrainës.

Në shtator të vitit 2025, tankeri me flamur të Sierra Leones ka transportuar më shumë se 30 mijë tonë produkte nafte ruse nga porti i Novorossiysk në drejtim të Turqisë, sipas shërbimit ukrainas.

Dyshimet janë se anija ka transportuar naftë ruse në kundërshtim me regjimin e embargos së G7 dhe Bashkimit Evropian, si dhe me politikën e kufirit të çmimit, të njohur si “price cap”.

Ndërkaq, sipas të dhënave të inteligjencës së Kievit, cisterna ka vizituar porte në Turqi, Kroaci, Maltë, Greqi dhe Rusi.

“Gjatë embargos së naftës nga G7 dhe BE-ja dhe politikës së kufizimit të çmimeve për naftën bruto/produktet e naftës ruse, cisterna është përfshirë në eksportin e naftës bruto/produkteve të naftës ruse në vende të treta”, thuhet nga GUR.

Për shkak të këtij klasifikimi, edhe autoritetet shqiptare kanë vendosur të mos i lejojnë ankorimin në Portin e Durrësit. Ndërkohë, nuk jepen detaje nëse anija kishte si qëllim shkarkimin e karburantit.

Rusia nisi agresionin ndaj Ukrainës në vitin 2022. Pas nisjes së luftës, BE-ja, SHBA-ja dhe vende të tjera perëndimore vendosën sanksione ndaj Moskës, përfshirë ngrirjen e aseteve dhe kufizimin e importeve të naftës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos