
Deri në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme janë raportuar 20 vatra zjarri në vend, 7 prej të cilave aktive dhe 3 nën mbikëqyrje. Në terren janë angazhuar 284 forca operacionale, 33 automjete zjarrfikëse, 80 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë.
Vatrat kryesore janë në Tiranë, Dibër, Korçë dhe Durrës, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ministria e Mbrojtjes - përditësim mbi situatën e zjarreve
(30 Gusht 2026 - ora 20:00)
Sipas informacionit operacional të datës 30.08.2026, ora 20:00, në territorin e vendit janë raportuar gjithsej 20 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive dhe 3 janë nën mbikëqyrje.
Për përballimin e situatës janë angazhuar në total 284 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 80 efektivë dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat aktive kryesore janë të përqendruara në Tiranë, Dibër, Korçë dhe Durrës.
Në zonën e Dajtit, drejt Qafë-Priskës, vijon puna me 15 zjarrfikës, 9 forca të AdZM-së dhe 20 efektivë ushtarakë, të mbështetur nga një helikopter.
Në qarkun Dibër situata me angazhimin më të madh: në Vajkal janë angazhuar 38 forca të MZSH-së dhe 30 efektivë të FA-së, ndërsa në Sllatinë 91 forca; aktive mbeten gjithashtu vatrat në Lundre të Matit, ku ndërhyri një helikopter i FA-së, dhe në Ballenjë të Martaneshit, në një zonë të mbrojtur.
Në Qafën e Lugut, Vithkuq, vatra në sipërfaqe pyjore do të monitorohet gjatë natës për shkak të terrenit të vështirë dhe pamundësisë së ndërhyrjes në orët e vona.
Në Zallë, Fushë-Krujë, vatra e riaktivizuar është vënë nën kontroll pas angazhimit të MZSH-së, forcave bashkiake dhe 30 efektivëve të FA-së. Nuk raportohen zona të banuara në rrezik.
Ndërkohë, vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit po mbahen në mbikëqyrje, ndërsa gjatë ditës janë shuar plotësisht zjarret në Strikçan dhe Nivicë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve. (A2 Televizion)