60 kursantë të helmuar, reagon “SORI-AL”: Në Akademi futen edhe ushqime nga jashtë. Mungojnë kushtet higjeno-sanitare

Nga A2 CNN
25 Qershor 2026, 12:32 | Aktualitet

60 kursantë të helmuar, reagon “SORI-AL”: Në Akademi

Shoqëria “SORI-AL” e cila kryen shërbimin e kateringut në Akademinë e Sigurisë, ku dje janë helmuar nga ushqimi 60 kursantë, ka reaguar përmes një deklarate për mediat.

Shoqëria thekson se hetimi në lidhje me rastin duhet të përfshijë jo vetëm shpërndarjen e ushqimit, por mënyrën dhe kushtet në të cilat ruhet dhe konsumohet.

“SORI-AL”, thekson se në kuadër të monitorimit “ janë konstatuar dhe dokumentuar raste të futjes dhe konsumimit në ambientet e Akademisë të produkteve ushqimore të porositura nga jashtë sistemit të furnizimit të kontraktuar”.

Ky është një element faktik, i dokumentuar nga ana jonë, i cili, sipas vlerësimit tonë, duhet të jetë pjesë e hetimit objektiv të institucioneve kompetente, pasi çdo ushqim i konsumuar jashtë zinxhirit të kontrolluar të furnizimit mund të përbëjë një faktor që duhet të verifikohet”, thuhet në deklaratë.

Duke iu referuar Akademisë së Sigurisë, shoqëria “SORI-AL” vë në dukje se gjatë ofrimit të shërbimit dhe konsumimit të ushqimit mungojnë kushtet higjeno-sanitare para konsumimit të vakteve.

Po ashtu, nga monitorimet dhe verifikimet e kryera nga stafi ynë gjatë ofrimit të shërbimit është konstatuar se procesi i konsumimit të ushqimit zhvillohet në kushte ku mungojnë disa elementë bazë të kushteve higjieno-sanitare, si mundësia për larjen e duarve me ujë të ngrohtë dhe detergjent përpara konsumimit të vakteve. Gjithashtu, është vërejtur se në shumë raste studentët paraqiten për konsumimin e ushqimit menjëherë pas përfundimit të stërvitjes. Këto rrethana nuk paraqiten për të shmangur apo transferuar përgjegjësi, por për të evidentuar se siguria ushqimore është rezultat i funksionimit të të gjithë zinxhirit të sigurisë, duke përfshirë jo vetëm prodhimin dhe shpërndarjen e ushqimit, por edhe mënyrën dhe kushtet në të cilat ai ruhet dhe konsumohet”.

Për këtë arsye, vlerësojmë se edhe këta faktorë duhet të jenë pjesë e hetimit dhe analizës objektive të institucioneve kompetente. Shoqëria "SORI-AL" mbetet e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha institucionet kompetente dhe kërkon që edhe kjo ngjarje të hetohet mbi bazën e provave shkencore, epidemiologjike dhe laboratorike, pa nxjerrë përfundime të parakohshme dhe pa dëmtuar padrejtësisht reputacionin e një kompanie që prej më shumë se dy dekadash operon në këtë sektor. Shoqëria “SORI-AL” mbetet në pritje të rezultateve të analizave laboratorike të kampioneve të marra nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, si dhe të analizave të kryera, me iniciativën e saj dhe në mënyrë të pavarur, pranë një laboratori tjetër të akredituar, në kuadër të sistemit të autokontrollit”, vijon deklarata. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos