7 Marsi, Dita e Mësuesit

Nga A2 CNN
7 Mars 2025, 08:00 | Aktualitet

7 Marsi, Dita e Mësuesit

Sot, më 7 mars, në të gjithë Shqipërinë festohet Dita e Mësuesit, një ditë e veçantë për të nderuar dhe falënderuar mësuesit për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në edukimin e brezit të ri. Ky ditë shënohet në të gjitha shkollat e vendit, ku realizohen aktivitete të ndryshme për të shprehur mirënjohjen për punën e palodhur të mësuesve.

Nxënësit përcjellin mesazhe falenderimi, kartolina, lule dhe dhurata për mësuesit, si një shenjë e vlerësimit për punën e tyre të jashtzakonshme. Ky është një moment reflektimi për arritjet e shënuara në fushën e edukimit dhe përkushtimin që mësuesit kanë treguar për të formuar dhe udhëhequr brezat që do të përcaktojnë të ardhmen e vendit.

Dita e Mësuesit shënon një ngjarje të rëndësishme historike që ka ndodhur më 7 mars të vitit 1887, kur u hap mësonjëtorja e parë shqipe në qytetin e Korçës. Mësuesi dhe drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri, një figurë e shquar e Rilindjes Shqiptare. Kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë, mësimi i gjuhës shqipe zhvillohej në kushte shumë të vështira, në fshehtësi, për shkak të pushtimit osman.

Megjithë vështirësitë, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet dhe u udhëhoq nga emra të njohur të Rilindjes si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami dhe të tjerë. Kontributi i tyre është i paçmuar për edukimin dhe zhvillimin e popullit shqiptar. Ata krijuan tekste shkollore dhe mundësuan përhapjen e dijes në një periudhë kur mësimi ishte i ndaluar dhe i rrezikshëm.

Dita e Mësuesit është një përkujtim i këtyre figurave historike dhe i sakrificave të bëra për përhapjen e dijes dhe edukimin e brezave të ardhshëm. Puna e mësuesve vazhdon të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme, duke formuar qytetarët e nesërm dhe duke kontribuar në zhvillimin e shoqërisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos