7 vatra aktive zjarri në vend, Ministria e Mbrojtjes: Situata më problematike në Gojan dhe Gjegjan

Nga A2 CNN
20 Gusht 2026, 15:23 | Aktualitet

7 vatra aktive zjarri në vend, Ministria e Mbrojtjes: Situata më

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve në vend, duke bërë të ditur se deri në orën 14:00 të ditës së sotme, janë regjistruar 10 vatra, prej të cilave 7 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim. Vatrat kryesore aktive janë në Dajt, Lufaj, Tërbun-Gojan-Gjegjan, Gjorm të Sipërm, Tunjë të Re dhe Rraja e Velës.

Sipas njoftimit të ministrisë, situata më problematike paraqitet në Gojan dhe Gjegjan të Pukës, ku erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e flakëve. Forcat janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, ndërsa operacioni mbështetet edhe nga dy helikopterë të Forcës Ajrore. Aktualisht, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në operacione janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 9 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin me 70 efektivë, një automjet zjarrfikës dhe 3 helikopterë.

Ministria e Mbrojtjes - përditësim mbi situatën e zjarreve

(20 Gusht 2026 - ora 14:00)

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 14:00, janë regjistruar 10 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim.

Në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 9 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin me 70 efektivë, 1 automjet zjarrfikës dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.

Vatrat kryesore aktive janë në Dajt, Lufaj, Tërbun–Gojan–Gjegjan, Gjorm të Sipërm, Tunjë të Re, Rraja e Velës.

Në Dajt është regjistruar një riaktivizim, ndërsa operacioni vijon me 30 efektivë të FA, 1 helikopter, 13 forca të MZSH dhe 9 forca të AZM; nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Lufaj, Mirditë, vatra mbetet aktive me intensitet të ulët dhe vijon puna e Shërbimit Pyjor dhe MZSH.

Situata më problematike paraqitet në zonën e Gojanit dhe Gjegjanit, Pukë, ku era e fortë ka favorizuar përhapjen e zjarrit. Forcat janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, ndërsa operacioni mbështetet nga 40 efektivë të FA, 1 automjet zjarrfikës dhe 2 helikopterë. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, Gurë-Lura dhe Qafë Helmes vijojnë të mbahen nën monitorim, me situatën të stabilizuar dhe pa rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos