Shpejtësi mbi 115 km/h, video e aksidentit tragjik me 3 viktima në Manzë

Nga Armand Bajrami
19 Gusht 2026, 23:09 | Aktualitet

Ky është momenti kur makina ku udhëtonin 5 të rinj doli nga rruga për t’u përplasur dhunshëm me një tubino betoni, me pasojë vdekjen e tre prej tyre dhe plagosjen e dy të tjerëve.

Aksidenti tragjik i mëngjesit të herët të së mërkurës në Manzë u mori jetën të sapomartuarve Kleo Vrioni dhe shtetases italiane Sara Brungetelli, përkatësisht 25 dhe 26 vjeç, si edhe 15-vjeçarit Alvi Muhaxhiri.

Në aksident u plagosën edhe dy pasagjerët e tjerë në automjet, një prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në videon e momentit të aksidentit, të siguruar nga A2 CNN, shquhet lëvizja shumë e shpejtë e automjetit. Sipas grupit hetimor, në momentin e përplasjes, shpejtësia e lëvizjes ka qenë mbi 115 km/orë.

Paraprakisht, hetuesit mendojnë se drejtuesi i mjetit nuk ka ndjekur lakimin e rrugës, duke dalë jashtë saj. Pasi ka prekur edhe bordurën e një shtylle elektrike, mjeti ka rënë në kanalin anës rrugës dhe më pas është përplasur fort me një tubino betoni.

Sipas të dhënave të ekspertizës, përveç shpejtësisë së lartë, drejtuesi i automjetit rezultoi edhe nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit.

Nga ana tjetër, në vendin e aksidentit ka munguar sinjalistika kufizuese e rrugës, vijëzimet, si edhe ndriçimi artificial. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos