
Nexhmedin Danaj, 57 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, është arrestuar në Dubai, me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri.
Policia e Shtetit njoftoi se arrestimi u krye në kuadër të një tjetër faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim me homologët e Interpol Abu Dhabit.
Danaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi, në muajin prill 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai dyshohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve të autoriteteve shqiptare, 57-vjeçari dyshohet se, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka bashkëfinancuar, mundësuar dhe koordinuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian. (A2 Televizion)