Autobusët pakësohen deri në 30 për qind, qytetarët përballen me vonesa, mbipopullim dhe temperatura të larta

Nga Mario Brakaj
1 Shtator 2026, 14:38 | Aktualitet

Skema është njëjtë... Në fillim ankohemi, nisim disa letra në institucione... dhe në fund, nëse nuk na japin atë që kërkojmë... pakësojmë autobusët duke dëmtuar ata që kanë më pak faj nga të gjithë... qytetarët.

Kam pritur shumë më gjatë se zakonisht për autobusin dhe në fund jam detyruar të nisem me vonesë. Kur e ke autobusin mjetin kryesor për të shkuar në punë, këto vonesa të prishin gjithë ditën. Nuk është vetëm çështja e pritjes, por edhe fakti që nuk e di se kur do të vijë autobusi tjetër", shprehet një qytetar. 

Dikush u bë vonë për në punë, ndërsa të tjerë u detyruan të prisnin gjatë për të mbërritur në destinacion. Reduktimi me deri në 30 për qind i flotës së urbanëve në kryeqytet solli efektet e para të dukshme mëngjesin e kësaj të marte.

Autobusi kur erdhi ishte shumë i mbushur dhe mezi gjeje vend për të hipur. Pastaj, nëse nuk arrin të hipësh, duhet të presësh autobusin tjetër dhe nuk e di sa do të zgjasë pritja. Me këtë vapë është akoma më e vështirë. Ka të moshuar, fëmijë, njerëz që shkojnë në punë dhe nuk mund të presin pafundësisht në stacion", thotë një qytetar tjetër. 

Autobusë të mbushur plot, ndërsa oraret e pritjes zgjatën ndjeshëm, duke i vendosur qytetarët përballë një zgjedhjeje, të prisnin apo të niseshin në këmbë, në kushtet e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.

 “Unë nuk e kuptoj si organizohet kjo punë, sepse pamë dy autobusë të së njëjtës linjë në të njëjtin stacion, ndërsa më pas nuk po vinte asnjë autobus. Nëse autobusët vijnë të dy bashkë, pastaj normalisht krijohet boshllëk dhe njerëzit presin gjatë. Duhet të ketë një organizim më të mirë, sepse në fund pasojat i vuajmë ne", thotë një tjetër. 

Situata krijoi çoroditje edhe për vetë linjat. Dy autobusë të së njëjtës linjë, në një orar në stacion.

 “Unë jetoj në Gjermani dhe atje e shoh shumë ndryshe mënyrën se si funksionon transporti publik. Mund të ketë probleme edhe atje, por ideja është që qytetari duhet të ketë një shërbim të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm. Nuk mund të ndodhë që për shkak të një konflikti mes operatorëve apo institucioneve, qytetari të mbetet në mes dhe të mos ketë mundësi të shkojë në punë apo të kryejë aktivitetet e tij?", shprehet një tjetër qytetar. 

Operatorët e transportit nuk kanë ndër mend të bëjnë pas. Përkundrazi, e marta mund të duket “normale” në raport me ditët në vijim. Nga reduktimi, transporti publik mund të shkojë drejt pezullimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos