Mijëra kuintalë grurë kanë mbetur stok në magazinat e fermerëve në Maliq. Pas muajsh pune, shpenzimesh dhe një viti të tërë të investuar në tokë, prodhuesit thonë se sot nuk po gjejnë treg për ta shitur.
“Mendova se diçka do të ndryshonte, po në vend që të ndryshojë, u përkeqësua situata. Ju shikoni vetë, këtu janë mbi 2 mijë kuintalë”, thotë një fermer. “Kështu mbetet gruri. S’kemi ku ta shesim dhe e grumbullojmë këtu në magazinë. Çfarë t’i bëjmë? Ku ta çojmë? Si nxjerr, pse s’nxjerrim këtu?”.
Ata thonë se prej vitesh mbajnë të mbjella tokat e fushës së Korçës, por sot përballen me një paradoks. Prodhojnë, por nuk arrijnë të shesin me një çmim që justifikon punën dhe shpenzimet. Ndërsa shpresë për mbështetje nga shteti nuk ka.
“Sytë nga dielli po i bëjmë, tashmë nga dielli, nga Zoti i lartë. Çfarë t’i bësh? Nuk e di si do bëhet”, thonë ata. “Të imagjinosh qiratë e tokave, të imagjinosh punimet bujqësore me naftë në stratosferë dhe, aq më tepër, të mendosh të shesësh me një çmim fare-fare skandaloz. Urdhëro. Nafta me 2200. A mund të punojë toka me 2200? Ju dhe unë së bashku mendojmë kur ndezim veturën me këtë naftë. Po a mund ta ndezësh zetorin? Po mbaj gjithë fushën e Korçës me punë, si puna ime. Dhe të mos ndjejmë dorën e shtetit. Ne, shteti duhet të na ndihmojë në mënyrë të veçantë”.
Në të tilla kushte, fermerët janë drejt dorëzimit, me keqardhjen se nga dëshira për të punuar tokën e tyre po dëmtojnë të ardhmen e fëmijëve. “Nuk e ricikloj dot veten. Nuk ndiej kënaqësi për punën që kryej. Po marrim në qafë kalamajtë që i kemi mbajtur peng të kësaj pune”. (A2 Televizion)