Dyfishim i mbështetjes financiare, Rama: Përfitojnë 11 fëmijë dhe kujdestarët e tyre

Nga Anesti Barjamemaj
20 Korrik 2026, 16:36 | Aktualitet

11 mijë fëmijëve më aftësi të veçanta do tu dyfishohet shuma që marrin si ndihmë ekonomike. Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në një qendër sociale, pohoi se masa sërish nuk është e mjaftueshëm, por e cilësoi lehtësuese në një kohë kur çmimet vetëm po rriten.

“Ishte bërë një kohë e gjatë që mbështetja për këta fëmijë ishte bërë e pamjaftueshme. Dhe jo se është e mjaftueshme, s’është asnjëherë mjaft, por ishte bërë realisht e pamjaftueshme, duke pasur parasysh edhe kostot e jetesës, edhe vështirësitë e tjera. Premtuam dyfishimin e mbështetjes për ta dhe jam shumë i lumtur që sot mbështetja për ta është dyfishuar”.

Nuk do të përfitojnë vetëm fëmijët deri në 18 vjeç por edhe prindërit apo edhe kujdestarët e tyre, pasi vendimi i qeverisë prek edhe këtë kategori që do të trajtohen me siguracione për një pagë minimale.

“Kështu që ne vendosëm, po ashtu, që shteti, buxheti i shtetit, t’i paguajë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për të gjitha nënat dhe për të gjithë kujdestarët, njësoj si ata të ishin në punë”.

Rama premtoi se masa e ardhshme në mbështetje të fëmijëve me aftësi ndryshe do të jetë indeksimi i ndihmës financiare, por kritikoi administratën lidhur me moszbatimin e ligjit që detyron institucionet që të punësojnë persona me aftësi speciale.

“Ka dhe një të metë tjetër të madhe, që ne kemi vendosur në ligj, por nuk e zbatojmë si duhet, as sa duhet, rekrutimin e personave me aftësi të kufizuar në administratë. E kemi në ligj të vendosur”.

Rama tha se zbatimi i kësaj dispozite ligjore nuk duhet të pritet vetëm nga privati por shteti duhet të japë shembullin e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos