
Ashtu si çdo vit, në prag të sezonit turistik në zonat e plazheve si në jug ashtu edhe në veriperëndim janë konstatuar ngjarje të qëllimshme të dëmtimit të strukturave të bareve pranë plazheve. Edhe në prag të këtij sezoni nuk kanë munguar ngjarje të tilla, kësaj radhe në zonën e Radhimës në Vlorë.
I favorizuar nga era, zjarri ka përfshirë edhe një hapësirë të kodrës pranë barit, por ndërhyrja e zjarrfikësve ka bërë të mundur lokalizimin dhe më pas fikjen e plotë të flakëve.
Dëmet janë të konsiderueshme pasi e gjithë struktura me materiale druri është djegur, ndërsa policia ka nisur hetimet për rastin në fjalë për të zyrtarizuar shkaqet dhe eventualisht për identifikimin e personave që shkaktuan këtë zjarrvënie. (A2 Televizion)