
Ambasadori i Bashkimi Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka deklaruar se rreth 70% e direktivave dhe rregulloreve të Bashkimit Europian do të zbatohen në nivel bashkish. Nga Durrësi ku po merr pjesë në prezantimin e fazës së dytë të projektit “EU4Municipalities”, Gonzato u shpreh se programi do të sjellë përfitime për qytetarët dhe do ta bëjë pushtetin vendor pjesë aktive të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
“Ky program sjell përfitime të prekshme në nivel vendor sepse politikat shndërrohen në përmirësime të vërteta. Nuk është sekret që 70% e direktivave, rregulloreve të BE do të vihen në zbatim në bashki. Prandaj janë kaq të rëndësishme bashkitë. Roli juaj dhe partneriteti ynë është shumë i rëndësishëm. Rrugëtimi europian i Shqipërisë duhet të përqafohet dhe përjetohet në çdo bashki të Shqipërisë. Programi synon që qeveria vendore të mos jetë thjesht vëzhgues në proces, por aktiv në të ardhmen europiane”, theksoi ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato.
Gonzato bëri të ditur se do të krijohet një qendër europiane për të ndihmuar bashkitë të përfitojnë nga fondet e BE-së dhe për të përshtatur projektet sipas nevojave specifike të secilës zonë.
“E para, janë shërbime dhe infrastrukturë më e mirë për qytetarët. E dyta është zhvillimi ekonomik dhe vendor, e treta, institucione më të forta dhe transparente. Do të krijojmë një qendër europiane që çdo bashki të përfitojë nga fondet e BE. Duam që zgjidhjet t’i përshtatim me nevojat përkatëse pasi sfidat ndryshojnë nga njëra-tjetra. Së fundmi, duam të nxisim bashkëpunimin ndërbashkiak”, u shpreh Gonzato.
Në fjalën e tij, ai u ndal edhe te reformat territoriale dhe zgjedhore, duke i cilësuar si një mundësi për të zhbllokuar potencialin zhvillimor të vendit.
“Procesi i reformave duhet të udhëhiqet nga sfidat territoriale dhe të ruajë ekuilibrin. Ky është një shans për të çliruar plotësisht potencialin e zhvillimit”, theksoi ambasadori i BE-së. (A2 Televizion)