Sali Berisha nuk u shfaq këtë të enjte në konferencën e përditshme për shtyp të orës 12:00, por në PD nuk munguan denoncimet.
Zëdhënësja antikorrupsion, Genta Vangjeli, tha se tenderin prej 15 milionë eurosh për blerjen e 3 avionëve për shuarjen e zjarreve, qeveria ia ka dhënë një kompanie të dënuar për korrupsion në Spanjë.
"Sipas medias, Ministria e Mbrojtjes ka shpallur fituese kompaninë Air Tractor Europe S.L., e cila është përfshirë në vendime gjyqësore në Spanjë që lidhen me manipulimin e tenderëve dhe korrupsionin në sektorin e avionëve për shuarjen e zjarreve.
Vendimet e autoriteteve gjyqësore spanjolle, përveç dëmit korruptiv prej të paktën 150 milionë eurosh, së bashku me vendimin e Gjykatës Supreme në Greqi në vitin 2024, sipas PD-së, pengojnë kompaninë të marrë pjesë në procedurat e prokurimit publik në vendet e Bashkimit Europian.
Në këto kushte, Partia Demokratike kërkon anulimin e menjëhershëm të procedurës dhe nisjen e hetimeve të thelluara nga SPAK për të penalizuar përgjegjësit."
Pretendimi u hodh poshtë nga Ministria e Mbrojtjes, e cila shpjegon se kompania ka paraqitur certifikatën e regjistrit penal, që vërteton mungesën e çdo rekordi penal dhe ruan të drejtën për të marrë pjesë në procedurat publike të prokurimit.
"Pretendimet e referuara në media lidhen me një çështje tjetër gjyqësore në Spanjë, ku vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë dhe është në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Për rrjedhojë, ai nuk prodhon efekte juridike dhe nuk përbën bazë ligjore për përjashtimin e asnjë operatori ekonomik nga procedurat e prokurimit.
Kompania ka vijuar të kontraktojë normalisht me administrata publike të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë vitet e fundit Ministrinë e Mbrojtjes së Qipros dhe Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi."
Ministria e Mbrojtjes hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se bëhet fjalë për një “tender të mbyllur”, duke theksuar se është ndjekur procedura konkurruese për qëllime ushtarake.
Në garë morën pjesë dy operatorë dhe fitoi ai që paraqiti ofertën me çmimin më të ulët. Operatori tjetër u skualifikua pasi nuk plotësonte kriteret ligjore të kualifikimit, kapacitetit ekonomik dhe teknik, thuhet në njoftim. (A2 Televizion)