Të jetosh gjatë nuk mjafton, rëndësi ka të jetosh shëndetshëm dhe me cilësi. Ky ishte mesazhi i dietologes Anila Kalleshi, në Dita Jonë në A2 CNN, e cila theksoi se jetëgjatësia nuk varet nga një ushqim i vetëm, por nga një stil jetese i balancuar.
Sipas saj, aktiviteti fizik, gjumi cilësor, menaxhimi i stresit, hidratimi dhe ushqyerja e shëndetshme janë faktorët kryesorë që ndikojnë në shëndetin afatgjatë. Dietologia thekson frutat dhe perimet e pasura me antioksidantë luajnë një rol kyç në mbrojtjen e organizmit.
“Ka ushqime specifike, për shembull shega e të gjitha frutat. Duke filluar te rrushi i cili ka resveratrolin i cili është një antioksidant shumë i fuqishëm dhe ka treguar shkencërisht që ndihmon mjaft mirë në rritjen e gjatësisë, antocianina që ndodhet tek shega gjithashtu të gjithë frutat në ngjyrë të kuqe, portokalli ato që kanë betaarotenin i cili përsëri është një antioksidant shumë i fuqishëm. Pra të gjitha frutat janë një element potencial dhe shumë i fuqishëm në mbrojtjen e sistemit tonë shëndetësor”, tha ajo në Dita Jonë në A2 CNN.
Kalleshi këshillon që dieta e përditshme të përfshijë edhe bishtajore, drithëra integrale, peshk, mish pa yndyrë, vezë dhe fruta të thata në sasi të moderuar. Sipas saj, konsumimi i peshkut 2-3 herë në javë siguron acide yndyrore omega-3, të rëndësishme për shëndetin e trurit dhe zemrës.
“Perimet jeshile përmbajnë klorofilin, përmbajnë vitamina të shumta. Vitamina C kryesisht të cilat janë shumë të mira për sistemin imunitar dhe janë bashkëshoqëruese dhe mbështetëse, pa llogaritur që kanë shumë pak kalori. Konsumimi i frutave dhe perimeve është që ata nuk të japin shumë kalori. Që do të thotë që ti nuk ke marrë një peshë ekstra, nuk kontribuon në akumulimin e masës djamore në organizëm. Një tjetër element shumë i fuqishëm dhe potencial janë acidet yndyrore omega3. Ju tashmë shikoni që një pjesë e madhe e një moshe diku pas 50-aveve fillon të preket nga alzhajmër apo nga demenca dhe natyrisht pasja e një truri të shëndetshëm edhe ky është një kontribues shumë i mirë për në jetëgjatësi. Pra nuk na duhet një person i cili jeton 100 vjeç por nuk mban mend asnjë gjë. Humbet rrugën, nuk di çfarë bën nëpër shtëpi, por na duhet një person që vërtetë ka shkuar 80, 90, 100 vjeç, por me është i shëndetshëm. dhe acidet yndyrore omega3 të cilat përftohen nga konsumimi i peshkut le të themi dy deri në tre herë në javë natyrisht po të ishte salmon por jo salmon rezervati. Trofta, merluci, barbun janë ushqime shumë të mira sardelet janë shumë të mirat na japin acide yndyror omega3, por pa harruar edhe frutat e thata edhe arrat, bajamet, lajthitë, janë një burim i shkëlqyer i acideve yndyrore omega3, por gjithashtu edhe magnezit dhe zinkut të cilët ndihmojnë mjaft mirë në shëndetin e trurit, por natyrisht edhe në sistemin imunitar”, tha ajo në Dita Jonë në A2 CNN.
Për hidratimin, Kalleshi rekomandoi rreth 30-35 ml ujë për kilogram të peshës trupore, ndërsa gjatë verës kjo sasi duhet të rritet me rreth 40%, në varësi të aktivitetit fizik dhe temperaturave. Ajo sugjeroi gjithashtu aromatizimin e ujit me fruta ose kastravec për ata që e kanë të vështirë të konsumojnë sasinë e nevojshme.
“Uji ndihmon shumë mirë në rregullimin e temperaturës në trup, por dhe në transportimin e oksigjenit në qelizat tona, dhe për të kaluar mjaft mirë vitaminat dhe mineralet nëpër qelizat tona. Kështu që pa ujë ne nuk duhet ta konceptojmë. Rrudhat fillojnë të duken shumë, lëkura plaket. Jo gjithmonë konsumimi i tepërt i ujit mund të jetë i shëndetshëm për organizmin. Natyrisht personat të cilët atë ujë që e marrin e nxjerrin përjashta, pra nuk kanë ritension hidrik, mbajtje lëngjesh në trup, natyrisht ka një organizëm të shëndetshëm dhe të mirë. Por nëse ka persona të cilët vuajnë nga mbajtja e lëngjeve në trup, që do të thotë këta persona bëjnë një gabim. Nëse nuk arrijnë ta konsumojnë sepse nuk i pëlqen ndoshta shija e ujit, mjafton t'i fusësh ca copa frutash brenda, do ta pasurosh me antioksidant edhe do të japësh më shije do ta kenë më të thjeshtë. Boronicat duhet të ishin shumë të mira, ca kokrra rrushi, pak kivi mund të ishte shumë i mirë. Gjithë elementët mund të ishte përsëri shumë e mirë kastraveci mund të ishte një freskues shumë i mirë, ca fara çija për të ndihmuar në sistemin tretës. Pra një ujë i tillë do ndihmonte mjaft mirë për përmirësimin cilësisht të jetës së këtyre personave”.
Ajo paralajmëroi se informacionet sensacionale që qarkullojnë në rrjetet sociale për “ushqime mrekullibërëse” nuk mbështeten në prova shkencore.
Dietologia këshilloi të konsumohen 2-3 porcione fruta dhe rreth 5 porcione perime në ditë, duke shmangur dietat e bazuara vetëm te frutat. Sipas saj, edhe shalqiri, megjithëse hidraton dhe ka pak kalori, nuk mund të zëvendësojë një vakt të ekuilibruar pasi nuk përmban proteinat dhe yndyrnat e nevojshme për organizmin. (A2 Televizion)