Gazetarja Anila Çela i bashkohet A2 CNN, nga 7 shtatori merr drejtimin e “Dita Jonë”

Nga A2 CNN
28 Gusht 2026, 11:13 | Aktualitet

Gazetarja Anila Çela i bashkohet A2 CNN, nga 7 shtatori merr drejtimin e

A2 CNN, partner ekskluziv i CNN në Shqipëri, nis sezonin e ri televiziv me një programacion të rifreskuar, me ambicien për të sjellë një ofertë televizive gjithnjë e më të plotë, më profesionale, serioze dhe dinamike.

Një prej risive të këtij sezoni është ardhja në ekranin e A2 CNN i gazetares së njohur Anila Çela, e cila nga 7 shtatori do të marrë drejtimin e emisionit “Dita Jonë”, një prej programeve që e ka shoqëruar këtë televizion që prej krijimit.

Pas një karriere të gjatë të ndërtuar në një sërë mediash dhe formatesh televizive, Çela i bashkohet A2 CNN duke sjellë eksperiencën shumëvjeçare me mijëra personazhe të intervistuar nga fusha të ndryshme të jetës publike, politikës, artit, kulturës dhe shoqërisë.

Duke ruajtur në qendër të vëmendjes qytetarin dhe çështjet e jetës së përditshme të tij, “Dita Jonë” synon të hyjë në një etapë të re për të zgjeruar çdo ditë dritaren e komunikimit me publikun.

Nga aktualiteti te problematikat sociale, nga lidhjet e drejtpërdrejta në terren te historitë njerëzore, intervistat, debatet dhe temat që prekin familjet shqiptare.

Koncepti i ri i programit do të sjellë gjithashtu rubrika dhe personazhe të rinj, ku një prej tyre do t’i dedikohet të gjithë të apasionuarve pas kuzhinës.

Krenar Beshiri, një emër i njohur në fushën e kulinarisë shqiptare, gjithashtu do të jetë pjesë e këtij rrugëtimi të programit përmes këndit të gatimit me receta, ide të reja, këshilla praktike dhe pjata interesante të cilat do të vijnë çdo ditë në ekran.

Programacioni i ri i A2 CNN synon një ekran edhe më dinamik, më të drejtpërdrejtë dhe më pranë publikut, duke forcuar më tej informacionin, transmetimet nga terreni, analizën dhe formatet që trajtojnë jetën e përditshme të qytetarëve.

Mirë u takofshim, në ekranin tuaj, në A2CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos