Regjistrimet në universitete, degët më të kërkuara drejt mbylljes së pranimeve

Nga Ornela Joti
27 Gusht 2026, 16:04 | Aktualitet

48 orët e para të procesit të regjistrimeve në universitete zotërohen tërësisht nga kandidatët ekselentë. Janë ata që kanë fituar thuajse të gjitha degët e shënuara në formularin A2 dhe mes tyre duhet të vendosin për profesionin e së ardhmes.

Pjesa më e madhe e fituesve të fazës së parë e kanë bërë tashmë përzgjedhjen, por para fakulteteve gjen ende kandidatë të pavendosur. Prindërit e një kandidateje ekselente nga Lushnja na tregojnë për orët e vështira të vajzës për të marrë një vendim, shkruan A2CNN. 

Në prag të mbylljes së fazës së parë të regjistrimeve, edhe ish-maturantja nga Lushnja bëri zgjedhjen e saj. Me regjistrimin në degën e Arkitekturës, tashmë nis lëvizja për kandidatët në pritje për fazën e dytë.

Zv.dekania e Fakultetit të Arkitekturës tregon se mbi 80% e kuotave të Arkitekturës janë plotësuar.

Mjekësia mbetet një nga degët me interesin më të lartë të të rinjve. Dita e parë e regjistrimeve, e cila kishte edhe fluksin më të lartë, thuajse i plotësoi të gjitha kuotat.

Degët e Informatikës, Ekonomisë, Stomatologjisë, Farmacisë dhe Inxhinierisë janë po ashtu programet e studimit që në fazën e parë patën fluksin më të madh të regjistrimeve.

Të premten, më 28 gusht, nis lëvizja e listës dhe faza e dytë e pranimeve në shkollat e larta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos