Gjobat nuk mjaftojnë, korsia e emergjencës, sërish e pushtuar në autostradën Tiranë-Durrës

Nga Igli Çelmeta
7 Korrik 2026, 15:33 | Aktualitet

Korsia e emergjencës në autostradën Tiranë-Durrës vijon të bllokohet nga drejtues të papërgjegjshëm, pavarësisht kontrolleve dhe gjobave të policisë. Një javë pas aksidentit tragjik që nxori në pah vështirësitë e ambulancave për të mbërritur në kohë, shkeljet janë rikthyer. Kamerat e A2 CNN konstatuan se rreziku mbetet i pranishëm dhe ndërgjegjësimi ende mungon.

Këto janë pamje të përditshme në autostradën Tiranë-Durrës, si në hyrje dhe në dalje. Mjetet duke mos respektuar rregullat bllokojnë korsinë e llogaritur për mjetet e emergjencës.

Një javë më parë në këtë aks rrugor ndodhi një nga aksidentet më të rënda me 1 viktimë dhe 12 të plagosur. Përveç ngjarjes së rëndë u vu re edhe vështirësia e ambulancave për të mbërritur në vendngjarje, pikërisht për shkak të bllokimit të lëvizjes së lirshme në këtë aks duke shkaktuar  vonesa që mund të bënin diferencën mes jetës e vdekjes.

Pas ngjarjes së rëndë policia një ditë më pas nisi ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që lëviznin më korsinë e emergjencës. U vendosën gjoba pas monitorimit me dron.

Të paktën 300 gjoba në ditë u vendosën nga blutë duke sjellë për një periudhë stabilizimin e situatës. Megjithatë nxitimi I drejtuesve të mjeteve ka kthyer sërish të njëjtën situatë Nga një vëzhgim që kamera e A2CNN bëri në autostradën Tiranë-Durrës evidentuam që vijojnë ende automjete të kalojnë në korsinë e emergjencës.

Pamjet flasin qartë dhe rreziku është i njohur për të gjithë. Çdo minutë e humbur nga një ambulancë për shkak të një korsie emergjence të bllokuar mund të sjellë pasoja edhe në jetë njerëzore ku më shumë se masat duhet të flasë ndërgjegjësimi për ta konsideruar korsinë e emergjencës të shenjtë dhe në ndihmë të shpëtimit të jetëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos