Që nga përmbytjet e fillimvitit e deri më tani, kur kanë kaluar më shumë se tetë muaj, banorët e Labovës së Madhe, në Bashkinë e Gjirokastrës, po bashkëjetojnë me vështirësi të mëdha, si në qarkullim, ashtu edhe sa i takon rrezikut që ende u kanoset banesave të tyre nga rrëshqitjet e dherave.
Përveç ditëve të para pas reshjeve dhe rrëshqitjeve masive, ata shprehen se askush nuk u ka ardhur më t'i pyesë dhe, aq më pak, të bëhet diçka për të rehabilituar dëmet që u shkaktuan nga shirat.
Që prej 6 janarit të vitit të kaluar, banorët e këtyre shtëpive janë të detyruar të jetojnë me frikën se mund t'u shemben ato. Edhe pse kanë kaluar rreth tetë muaj që nga shirat e rrëmbyeshëm që shkatërruan rrugën dhe rrezikojnë banesat, askush nuk ka marrë asnjë masë për të ndërhyrë për të zgjidhur problemin e këtyre banorëve.
Ata kërkojnë vetëm një strehë të sigurt dhe asgjë më tepër nga shteti, që i ka harruar në mëshirë të fatit.
“Vështirësia është e madhe. Tani, gjatë kësaj kohe të thatë, edhe qarkullojmë poshtë. Do të vijë dimri, do të fillojnë ngricat. Është e pakalueshme rruga”, thotë një banor. “Ambulanca me vështirësi vjen. Herë vjen, herë s'vjen, se s'e di rrugën. Zjarrfikësja po kështu. Më problem s'ka ku të vejë ky fshat. Pushteti vendor nuk e vret më fare. Absolutisht. Që nga kryetari i bashkisë e tërë me radhë, vijnë, na marrin me të mirë, na marrin për qafe edhe: ‘Çfarë keni? Do t'ju rregullojmë këtë’, pastaj ikin. Ky është problemi”, thotë një tjetër.
Me nisjen e shirave të vjeshtës dhe më pas të dimrit, situata në këtë zonë bëhet shumë më e vështirë dhe e pamundur, si për të lëvizur, ashtu edhe për të bërë ndonjë ndërhyrje. (A2 Televizion)