Helmimi i studentëve të Akademisë, “AKU bllokon mensën, nuk plotëson kushtet higjeno-sanitare"

Nga Ornela Joti
12 Maj 2026, 13:24 | Aktualitet

Pas skandalit të helmimit të 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokon mensën e Akademisë.

Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se grupi i punës ka vendosur shiritin pasi mensa nuk plotësonte kushtet higjeno-sanitare. Analizat dhe kontrollet e kryera nga AKU kanë nxjerrë se ky ambient në Akademinë e Sigurisë ushtronte veprimtarinë jashtë çdo standardi higjiene.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se pas bllokimit të mensës kursantët janë nxjerrë në praktikë, pasi Akademia nuk u ofron dot ushqim. Ndërkaq, nga Instituti i Sigurisë Ushqimore pritet të dalin analizat mikrobiologjike se cilat produkte helmuan të rinjtë gjatë konsumimit të drekës 5 ditë më parë.

Për fat të mirë, të rinjtë nuk patën komplikacione të rënda nga helmimi masiv, ndërsa morën trajtim spitalor në QSUT. Akademia e Sigurisë ushqimin për studentët e merrte me catering nga kompania "Sori Al", të cilës gjatë kontrollit iu bllokuan disa produkte ushqimore, si dhe iu vendos gjobë 100 mijë lekë për mungesën e sistemit funksional të gjurmimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos