I tërheq natyra dhe mikpritja, çekët e aventurës argëtohen në rrjedhën e Shkumbinit

Nga Gazment Janku
12 Maj 2026, 11:22 | Aktualitet

Turistët çekë, që janë të apasionuar pas natyrës, aventurës dhe adrenalinës, kanë gjetur një oaz në vendin tonë me malet, lumenjtë dhe natyrisht mikpritjen dhe kulinarinë. Për të 10-in vit radhazi, drejtuesi i një grupi turistësh çekë, të apasionuar pas packrafting, vjen në Shqipëri, kësaj radhe pranë nisjes së rrjedhës së lumit Shkumbin.

 “Do të qëndrojmë dhjetë ditë në Shqipëri dhe katër ditë në Maqedoni. Këtu do të lëvizim me packrafting maksimumi deri në 20 kilometra. Në Shqipëri unë kam qenë në lumenjtë: Kir, Shalë, Fan i Madh, Fan i Vogël, Drin i Bardhë, Drin i Zi, si dhe në majat e Korabit dhe Jezercës”, shprehet një turist. 

Edhe për ata që vijnë për herë të parë, përshtypjet janë fantastike në të gjitha drejtimet.

 “Sot është dita jonë e parë në Shqipëri. Tani duam të zbresim përgjatë lumit Shkumbin. Mbrëmë fjetëm në një fshat të vogël, Selcë. Ka hotele të mira me ushqim tradicional. Na pëlqen shumë Shqipëria. Do të donim ta vizitonim përsëri në të ardhmen dhe të mësonim më shumë për historinë lokale”, thotë një tjetër. 

 “Shqipëria për ne është ende si një vend i egër. Ka gjithçka që dëshiron të bësh. Mund të bësh kajak, kamping, çfarë të duash, male, natyrë, gjithçka është e mundur këtu. Ju jeni ndryshe. Por ajo që është shumë e mirë është mikpritja”, shprehet një tjetër turist. 

Vit pas viti, përveç turistëve që shijojnë bregdetin, është në rritje edhe numri i atyre që janë të apasionuar pas aventurës, adrenalinës dhe natyrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos