“Hiqet patenta përgjithmonë!” Drejtori i Rrugores tregon ndryshimet e reja në Kodin Rrugor

Nga A2 CNN
10 Gusht 2026, 12:21 | Aktualitet

Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, ka bërë të ditura ndryshimet e reja në Kodin Rrugor. Në një konferencë për shtyp, ai tha se Kodi i ri parashikon heqjen përgjithmonë të lejes së drejtimit për drejtuesit që rezultojnë me mbi 0.5 g/l alkool në gjak dhe që janë ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur.

“Heqjen përgjithmonë të lejes së drejtimit kur një drejtues mjeti rezulton me një vlerë alkoolike më të lartë se 0,5 gram për litër (g/l) në gjak dhe është konstatuar e ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur. Kjo masë vjen si nevojë e adresimit të fenomenit shqetësues të aksidenteve rrugore me pasoja, për shkak të drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur”.

Një nga ndryshimet kryesore ka të bëjë gjithashtu me heqjen e mundësisë për të shmangur pezullimin e patentës duke paguar dyfishin e gjobës. Në rastet kur ligji parashikon pezullimin e lejes së drejtimit, masa do të zbatohet.

“Një ndryshim tjetër është heqja e konvertimit të përfundimit të lejes së drejtimit të lëshuar nga shteti shqiptar me pagesën e një shume sa dyfishi i masës administrative maksimale, të parashikuar për normën e shkelur. Sqarojmë për këtë pikë; se nëse përpara datës 7 gusht një drejtues mjeti i evidentuar i kapur me shkelje të një norme dispozite të kodit rrugor ku përveç masës administrative në vlerë monetare parashikon edhe masën plotësuese të pezullimit të lejë së drejtimit, me ndryshimet e fundit ndërkohë që kishte mundësinë opsioni për të paguar dyfishin e vlerës maksimale të gjobës për mosaplikimin e masës plotësuese të pezullimit të lejes të drejtimit, kjo mundësi tashmë hiqet dhe leja e drejtimit pezullohet automatikisht për çdo normë të shkelur ku parashikohet pezullimi i lejes së drejtimit. Pra nuk është e mundur ose nuk është mundësia që një drejtues mjeti të paguajë dyfishin e gjobës në këmbim të mospezullimit të lejes së drejtimit”, bëri të ditur Vatoci.

Një tjetër ndryshim lidhet me përdorimin e telefonit celular gjatë drejtimit të mjetit. Nëse një drejtues konstatohet dy herë brenda të njëjtit vit, duke përdorur telefonin, parashikohet pezullimi i lejes së drejtimit.

“Një tjetër ndryshim është sanksionimi i përdoruesit telefonit celular edhe gjatë drejtimit të motomjeteve, biçikletave dhe monopatinave me motor. Në këtë dispozitë gjithashtu parashikohet pezullimi i lejes së drejtimit në rast se një drejtues mjeti është ndëshkuar dy herë brenda të njëjtit vit për përdorimin e aparatit celular nga tre që ishte për para miratimit të ndryshimeve në këtë ligj. Saktësojmë se përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit të mjetit rezulton një ndër shkaqet kryesore të humbjes së kontrollit me mjetin dhe për pasojë edhe për aksidentet rrugore me pasoja”.

Ndryshime ka edhe për drejtuesit e rinj, të cilët kanë marrë lejen e drejtimit gjatë 24 muajve të fundit, me kufizime të posaçme për shpejtësinë dhe drejtimin nën efektin e alkoolit.

Policia Rrugore thekson se masat synojnë parandalimin e shkeljeve dhe aksidenteve, ndërsa u bën apel drejtuesve të respektojnë kufijtë e shpejtësisë, të mos drejtojnë nën efektin e alkoolit dhe të shmangin manovrat e rrezikshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos