
Familjarë, miq, kolegë të medias dhe qytetarë të Vlorës dhanë sot lamtumirën e fundit gazetarit Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën tragjikisht në moshën 40-vjeçare pas një aksidenti në zonën e Zvërnecit, një ditë më parë.
Homazhet për gazetarin e ndjerë u zhvilluan në teatrin Petro Marku të qytetit të Vlorës dhe më pas trupi i pajetë u përcoll në orën 14:00 për në banesën e fundit.
Në ceremoninë e homazheve mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, kryebashkiakja e vlorës Bruna Mersini dhe kryebashkiaku i Himarës Vangjush Tavo.

Ndarja e parakohshme nga jeta e gazetarit ka sjellë reagime të shumta nga bota e medias, e cila humbi një nga zërat e njohur të gazetarisë lokale në Vlorë. Ai la pas bashkëshorten dhe 2 fëmijët.
Enrik Mehmeti humbi jetën mbrëmjen e 18 korrikut, pas një aksidenti me një motomjet me katër rrota në zonën bregdetare të Zvërnecit.
Për arsye ende të paqarta, humbi kontrollin e mjetit, duke u rrokullisur disa herë. Përplasjet në pjesët metalike të motomjetit rezultuan fatale për 40-vjeçarin. Me të udhëtonte edhe një 18-vjeçar, i cili mbeti i plagosur, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
A2 CNN shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Mehmeti, të afërmit dhe kolegët e gazetarit Enrik Mehmeti.
(A2 Televizion)