Kryetari i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, kërkoi që të bëhen ndryshimet e nevojshme kushtetuese që anëtarët e SPAK të kenë mundësi të kandidojnë për një mandat të dytë, në përfundim të mandatit 9-vjeçar, raporton A2 CNN.
“Në kemi propozuar jo riemërim automatik. Propozimi është që të bëhen ndryshime kushtetuese, që prokurorëve të SPAK në fund të mandatit 9-vjeçar t’i jepet mundësia të kandidojnë. Bëhet e mundur mundësia e rifreskimit, pasi ka edhe prokurorë që në fund të mandatit 9-vjeçar nuk do të duan të vazhdojnë. Në rastin e mundësisë për rikandidim, KLP mund t'i thotë qe “performanca juaj nuk është e mjaftueshme për një mandat tjetër”. Opsioni i dytë është atashimi në prokurorinë e Apelit, por ne jemi për opsionin e parë”, tha Dumani në raportimin e tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Mospasjen e mundësisë për rikandidim, Dumani e renditi edhe mes problemeve me të cilat haset SPAK. Por problemi kryesor për të ishte presioni i jashtëm ndaj institucionit dhe më pas mungesa e referimeve nga institucionet publike. (A2 Televizion)