Kadastra i përgjigjet Dules për pronat në Himarë: Nuk marrim pronën e askujt, paraqisni faktet Pretendimet janë të pavërteta

Nga A2 CNN
12 Tetor 2026, 16:36 | Aktualitet

Kadastra i përgjigjet Dules për pronat në Himarë: Nuk marrim

Akuzave të kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule, 4 ditë më parë nga foltorja e parlamentit, se qeveria po grabit pronat në Himarë, i është përgjigjur sot drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli. Në një video të shpërndarë në media, ajo i cilëson këto pretendime të pavërteta dhe thekson se puna në terren synon t’u japë zgjidhje problemeve të pronësisë së qytetarëve, në përputhje me ligjin.

Sipas saj pretendimet për pengim të qëllimshëm të regjistrimit të banesave në lagjen “Kala” të Himarës dhe grabitje të pronave nuk pasqyrojnë realitetin.

“Kadastra nuk ka qëllim t’i marrë pronën askujt. Ka vetëm një detyrë: të ndihmojë qytetarët të zgjidhin problemet e tyre të pronësisë, në përputhje me ligjin”, shprehet drejtoresha e përgjithshme e ASHK-së.

Duke ftuar deputetin Dule të paraqesë faktet dhe të ballafaqojë pretendimet me institucionin, Goxhobellit, thekson se përmes qasjes së re “Kadastra derë më derë”, specialistët po shkojnë pranë banorëve për të trajtuar problematikat e dokumentacionit të pronësisë, si për banesat e ndërtuara pa leje pas vitit 1991, ashtu edhe për banesat më të hershme, përfshirë ato që mund të jenë dëmtuar nga koha.

Ajo thekson se procesi mbështetet në deklarimet e qytetarëve, verifikimet në terren dhe procedurat e përcaktuara me ligj. Çdo deklarim i rremë sjell përgjegjësi ligjore, ndërsa trajtimi i rasteve bëhet pa përjashtime, privilegje apo dallime mbi baza politike.

Një tjetër element që thekson drejtoresha e ASHK-së është transparenca e procesit. Pas përfundimit të punës në secilin fshat, të dhënat publikohen në platformën online të Kadastrës, ku qytetarët mund të kontrollojnë statusin e dosjes së tyre, nëse ajo është në afishim publik, nëse mungon dokumentacioni i nevojshëm apo nëse ekipi nuk ka mundur të hyjë në banesë.

Banorët mund të përfshihen në proces gjatë gjithë periudhës së qëndrimit të ekipeve të Kadastrës në bashki, duke kontaktuar specialistët e ASHK-së ose duke telefonuar pa pagesë në numrin e gjelbër 0800 8811.

Goxhobelli thekson se mbrojtja e të drejtave të pronësisë kërkon fakte, transparencë dhe zbatim të ligjit, ndërsa përhapja e pretendimeve të pavërtetuara mund të dëmtojë besimin e publikut dhe të cenojë të drejtën e qytetarëve për t’u informuar saktë.

"Të drejtat e pronësisë nuk mbrohen me akuza dhe insinuata, por me fakte, transparencë dhe zbatim të ligjit. Përhapja e të pavërtetave është dëmtim i besimit publik dhe i së drejtës së qytetarëve për t’u informuar drejt, aq më tepër kur kjo vjen nga njerëz të politikës, të ligjit apo të institucioneve shtetërore. Në këtë rast përgjegjësia është edhe më e madhe sepse fjala e tyre mbart peshë dhe pasoja. Disinformimi nga ata që gëzojnë besimin publik dhe kanë një lloj autoriteti nuk cenon vetëm faktet, por edhe vetë besimin te institucionet", shprehet Goxhobelli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos