Atë që nuk arriti dot ta ndiqte në mënyrë profesionale, tashmë po e praktikon në mënyrë artizanale. Pavarësisht gjithçkaje, 31-vjeçari Hysen Dervishi nga Divjaka e Lushnjës nuk hoqi dorë asnjëherë nga pasioni i tij për punimin e drurit.
Është diçka shumë e bukur që një dru të trishtuar ta bëjë që të qeshë. Kështu i vlerëson punimet e veta drupunuesi Hysen Dervishi, 31 vjeç, nga Kryekuqi i Divjakës. Pasioni që kishte për artin, të cilin nuk arriti dot ta vijonte, po e ndjek në mënyrë artizanale, duke gjetur edhe një lloj paqeje të brendshme.
Në fakt, përpunimet e tij Hyseni përpiqet të mos dëmtojë asnjë dru të shëndetshëm, duke i siguruar materialet nga mbetjet që deti nxjerr në breg.
Ashtu sikurse nuk arriti dot të ndjekë studimet në art, edhe punimet e tanishme nuk është se vlerësohen shumë në vendin tonë, por Hyseni ka gjetur një tjetër zgjidhje, si shumë shqiptarë të tjerë jashtë vendit, me periudha sezonale.
Ndërsa ka provuar thuajse të gjitha llojet e punëve, Hyseni nuk dorëzohet dhe ka edhe një apel për të rinjtë e vendit. (A2 Televizion)