“Katastrofike situata me stokun e dosjeve”, ish-gjyqtari: Apeli gjykon sot çështje të 2018-ës!

Nga A2 CNN
21 Shtator 2026, 21:51 | Aktualitet

Gjykata e Apelit në Tiranë po përballet me një stok të madh dosjesh, duke bërë që në vitin 2026 të shqyrtojë ende çështje të regjistruara që në vitin 2018.

Ish-gjyqtari Shkëlqim Mustafa e cilësoi situatën si “katastrofike”, duke theksuar se vonesat janë veçanërisht problematike për çështjet penale që nuk kanë persona në arrest.

Sipas Mustafës, ndërsa çështjet me të arrestuar trajtohen me ritme shumë më të shpejta, një person që ndiqet në gjendje të lirë mund të presë deri në disa vite për t’u gjykuar në shkallën e parë dhe më pas në Apel.

Ish-gjyqtari tha në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, se stoku i çështjeve në Gjykatën e Apelit mund të ketë arritur në rreth 60 mijë dosje.

Ka ngarkesa të tmerrshme. Unë jam kritiku numër 1, i pari, i shpejtësisë së gjykatës, i mënyrës si gjykon gjykata, SPAK-u dhe GJKKO, por t’i themi faktet siç janë, çështjet me të arrestuar ecin shpejt dhe jashtëzakonisht shpejt, kur një çështje tjetër penale, një person mund të jetë dënuar 5 vjet, është në ndjekje të lirë, do 8 vjet të gjykohet nga shkalla e parë. Gjykata e Apelit në Tiranë sot gjykon vitin  2018, jo vendimin e vitit 2018 të shkallës së parë, por regjistrimin në Apel në vitin 2018, që minimalisht është vendim i 2017. Mund të ketë persona të dënuar 5 vjet, 8 vjet, për grabitje në mungesë, 15 për vrasje, vjen radha sepse është e pamundur. Apeli duhet të ketë arritur në 60 mijë dosje, që është katastrofike”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos