235 pjesëmarrës, zyrtarë e ish-zyrtarë të FBI-së dhe përfaqësues të agjencive ligjzbatuese nga Europa dhe SHBA-ja u mblodhën të hënën në Tiranë.
Në fjalën e tij, drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërkombëtar mes agjencive antikrim. “Për SPAK-un është përgjegjësi edhe ndihma ndaj të huajve. Një ndihmë nga ne ndihmon hetimin tuaj, një provë që vjen nga ju mund të jetë vendimtare për procesin në Shqipëri”, tha ai, përcjell A2 CNN.
Për hetimet, kreu i BKH-së, Jon Keta, theksoi se krimi po ndryshon strategji vazhdimisht. Në të njëjtën linjë, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, theksoi nevojën për të ndryshuar strategjitë në hetime.
“Sfidat janë bërë më komplekse se më përpara. Krimi kibernetik, gjithashtu dhe përdorimi i teknologjisë, na krijon nevojën të rrisim kapacitetet. Ne duhet të ndryshojmë strategjitë tona lidhur me luftën kundër krimit. Nuk ka kohë për ne dhe duhet t’i ndryshojmë strategjitë sa më shpejt të jetë e mundur. Mund të kemi kapacitete pak të limituara, por duhet të kemi bashkëpunim sa më të mirë, kombëtar dhe ndërkombëtar. Kërkohet një strategji e qartë dhe vizionare për të luftuar krimin”, tha Çela.
Kryepolici Hita, i cili renditi përparimet e Policisë së Shtetit, nënvizoi nevojën e bashkëpunimit përtej kufijve përballë sfidës së përbashkët ndaj krimit të organizuar. “Nuk e përballojmë dot krimin e organizuar të vetëm. Krimi nuk respekton kufij, ndërsa siguria duhet ta kapërcejë atë”, u shpreh ai.
Ndërsa për ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, nuk duhet të ketë vetëkënaqësi. “Rezultatet e arritura janë të rëndësishme, por në luftën ndaj krimit nuk ka vend për asnjë sekondë pushim”, tha ai.
Zëvendësndihmësdrejtori i FBI-së, Spenser Horn, gjithashtu e vuri theksin te bashkëpunimi mes shteteve në betejën ndaj krimit, duke shtuar se sfidat janë të ngjashme. “Sfidat e vendeve tona janë të ngjashme. Ne përballemi me terrorizmin, krimin e organizuar, krimin e dhunshëm, krimin e organizuar ndërkombëtar, krimin kibernetik. Ndjekim kriminelët që janë pas platformave të kriptuara, trafikun narkotik. Kam besimin se së bashku mund ta realizojmë këtë mision”, tha Horn.
Mesazhet e zyrtarëve të sigurisë u dhanë gjatë ceremonisë hapëse të konferencës së 42-të të Shoqatës së Ish-Studentëve Europianë të Akademisë së FBI-së, ndërsa ministri Demo i ftoi edhe për një vizitë në Berat. (A2 Televizion)