
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish mëngjesin e sotëm pas protestave për Zvërnecin, ku kërkohet largimi i tij nga pushteti.
Në postimin e tij, të cilin e shoqëron edhe me një video ku një protestues i kërkon Ramës që të largohet nga pushteti brenda 24orëve, ai i përgjigjet se Shqipëria do bëhet sipas kontratës që kemi lidhur majin e shkuar, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve.
“Mirëmëngjes dhe me ndjesën për këtë video-kartolinë të pazakonshme nga ‘Shqipëria e shqiptarëve’, e duke i siguruar të gjithë se Shqipëria do bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me 83 vota, pavarësisht se çfarë thonë e çfarë duan këta shqiptarët që e dinë Shqipërinë pengun e verbërisë së tyre dhe atdhedashurinë podium për të sharë me libër shtëpie tradhtarët e armiqtë imagjinarë Shqipërisë”, shkruan Rama.
Kryeministri thekson se protesta ka humbur arsyen reale të nisjes së saj, ndërsa u dërgon një “përqafim të veçantë” mbështetësve të tij që, sipas tij, vijojnë të jenë të përfshirë në të.
“Ju uroj një ditë të mbarë me një përqafim të veçantë për ata të mitë që kanë mbetur akoma peng i një proteste të cilës i ka humbur çdo arsye reale e nisjes”, shkruan Rama.
Rama ka shpërndarë një video të një protestuesi që kërkon largimin e Ramës
“Kërkuam që kryeministri të dorëhiqet që sot, e ka tepruar. I kemi dhënë 24 orë kohë dhe po nuk iku për 24 orë i lutemi Zotit ta ndihmojë, ne prej Krishtit e kemi falur deri tani. Vdekje satanistëve dhe Soros po ju pashë më në Shqipëri e keni me mua personalisht”, thotë protestuesi.
(A2 Televizion)