“Protesta duhet të ketë një kokë”, Sejdarasi: Nuk ka thelb, po mbushet me autobusë nga Dardania

Nga A2 CNN
2 Qershor 2026, 22:27 | Aktualitet

“Protesta duhet të ketë një kokë”, Sejdarasi:

Gazetari Bardhi Sejdarasi ka shprehur skepticizëm ndaj protestës së organizuar nga qytetarët kundër projektit në Zvërnec, duke theksuar se një lëvizje e tillë duhet të ketë drejtim, strategji dhe objektiva të qarta.

I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, me Andrea Dangllin, Sejdarasi deklaroi se nuk ka shumë besim te protestat që nuk kanë një strukturë drejtuese.

“Protesta duhet të ketë një kokë, duhet të ketë disa njerëz që të kenë një strategji të qartë se ku nisin, ku synojnë të shkojnë dhe deri ku do të arrijnë. Kjo më duket e vështirë në rastin konkret”, u shpreh ai.

Sipas gazetarit, protestës po i humbet fokusi fillestar, veçanërisht pas pamjeve të publikuara me automjete që vinin nga Dardania, të shoqëruara me flamuj kombëtarë dhe simbole të UÇK-së.

Sot më është mbushur mendja kur pashë pamjet e makinave që vinin nga Dardania me flamuj. Këtu më duket se jemi jashtë atij realiteti që kërkojmë. Nga ky moment mendoj se kjo protestë nuk ka më thelb”, deklaroi gazetari.

Ai nënvizoi se debati duhet të mbetet i përqendruar te çështja kryesore, duke theksuar nevojën për investime strategjike në Shqipëri, por edhe për më shumë transparencë nga institucionet.

“Thelbi është që Shqipëria ka nevojë për investime strategjike, por qeveria duhet të jetë transparente. Për mua, gjëja më e rëndësishme është transparenca e këtyre projekteve”, përfundoi Sejdarasi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos