Maratona e Korçës, mbi 1 mijë garues, në tre gara të ndryshme

Nga Artin Halili
20 Shtator 2026, 14:41 | Aktualitet

Mbi 1000 garues u bënë pjesë e maratonës së zhvilluar këtë të diel në Korçë. Vrapues të moshave dhe nga vende të ndryshme u përfshinë në tre garat e zhvilluara, në distancat 3, 5 dhe 21 kilometra.

Për pjesëmarrësit, gara ishte një kombinim i konkurrencës, sfidës personale dhe atmosferës sportive në qytetin juglindor.

Gara shkoi shumë mirë, terreni ishte i mirë, konkurrenca e madhe, por falë vullnetit dhe stërvitjes arrita i pari. U shkëputa në fillim dhe jam i kënaqur. Marr pjesë në shumë maratona, brenda dhe jashtë vendit, por këtu gjeta një ngrohtësi të veçantë”, tha Bruno Puqja, fitues i 3 KM.

Isha vendi i parë, konkurrenca ishte e fortë. Falënderoj për organizimin. Vij nga Gjakova, është hera e parë që vij në Korçë dhe erdha vetëm për garën. Organizim shumë i mirë, ju përgëzoj. Jam kënaqur shumë dhe e kam shijuar”, tha Lis Binaki, fitues i 5 KM.

Në distancën prej 21 kilometrash, vendin e parë e mori atleti korçar Ilir Këllezi. Për të, fitorja ka një emocion të veçantë, pasi gara u zhvillua në qytetin e tij të lindjes.

Ilir Këllezi, fitues i 21 KM u shpreh: “Është hera e dytë që fitoj maratona dhe emocionet janë të mëdha, sidomos kur bëhet në qytetin e lindjes. Jam i lumtur që zhvillohet ky edicion i parë dhe që fitoj vendin e parë. Jam shkëputur që në fillim dhe gjithë ritmin e kam mbajtur. Kam pasur kundërshtarë të fortë nga Turqia dhe Greqia. Me fitoren e sotme kam arritur 75 kupa dhe 203 medalje.”

Nga 3 në 5 e deri në 21 kilometra, gara solli në Korçë mbi 1000 vrapues, duke e kthyer qytetin në një arenë të sportit dhe të konkurrencës. Një aktivitet që, përtej rezultateve, përcolli energjinë e sportit dhe promovoi Korçën përmes një eventi që pritet të kthehet në traditë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos