Ministri Karakaçi inspekton punimet e autostradës Tiranë-Durrës: Parashikohet përfundimi në prill 2027

Nga A2 CNN
17 Gusht 2026, 15:37 | Aktualitet

Ministri Karakaçi inspekton punimet e autostradës

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektuan nga afër fazën e tretë të punimeve për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, ku deri më tani janë realizuar afro 26% e tyre.

“Kjo fazë e tretë përfshin zgjerimin e trupit të rrugës në tre korsi plus një korsi emergjence, si dhe ndërtimin e nyjes në disnivel të Laknasit dhe mbikalimit të ri të Kasharit, me strukturë metalike dhe gjatësi 94 metra. Në nyjen e Laknasit do të ndërtohen katër rampa, dy hyrëse dhe dy dalëse, ndërsa do të ketë edhe një nyje në nivel për menaxhimin e trafikut në një zonë me aktivitet tregtar dhe një komunitet të konsiderueshëm banorësh. Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e rreth 300 metrave rrugë që do të lidhin dy nyjet”, bëri të ditur Kozeli.

Sipas tij kontrata për fazën e tretë ka një afat 18-mujor, është lidhur në nëntor dhe parashikohet të përfundojë në prill 2027.

“Kjo është kontratë që ka afat 18 mujor, është lidhur në nëntorin e shkuar dhe përfundon në prill të të vitit 2027”, tha Kozeli.

Nga ana e tij ministri theksoi se do të shqyrtohet mundësia e hapjes graduale të segmenteve për trafikun që në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, në varësi të ecurisë së punimeve.

“Kjo përfundon në prill 2027. Megjithatë ne shumë shpesh kemi folur për duke qenë se kontraktorët janë duke punuar me ritme të kënaqshme dhe kjo duket në fakt edhe me syrin e lirë por edhe gjatë për shkak se kantierat janë shumë të mobilizuar ndoshta mund të shikonim mundësinë që nga fundi i vitit ose fillimi i vitit të bënim një hapje graduale të trafikut, në kohën ku ka trafik pak më shumë”, tha ministri.

Karakaçi theksoi se duhet të gjendet edhe një zgjidhje teknike pranë mbikalimit të Rinasit, për t'u dhënë akses banorëve dhe bizneseve të zonës pa qenë të detyruar të shkojnë deri në Vorë apo në zonën e Casa Italia-s për kthimin.

“Ne kemi folur që duhet t'i gjejmë edhe një zgjidhje ndërlidhjes që të kemi vendosur një rrethrrotullim një aty rreth mbikalimit të Rinasit, sepse është e rëndësishme e kanë ngritur bizneset dhe banorët që përndryshe siç është projekti duhet që banorët ose bizneset të shkojnë deri në Vorë ose deri te Kaza Italia për të bërë kthimet përkatëse. Ndërkohë ne po përpiqemi që të gjejmë zgjidhje teknike se si të bëjmë aty një mundësi kthimi për atoa banorë dhe për të dalë në nyjen e Rinasit”, theksoi ministri.

Autostrada Tiranë-Durrës përballon rreth 90 mijë deri në 120 mijë mjete në ditë gjatë periudhave normale, ndërsa në sezonin turistik fluksi mund të arrijë deri në 150 mijë mjete. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos