Ndryshime drastike të motit, meteorologia: Ulje të temperaturave, priten reshje

Nga A2 CNN
21 Shtator 2026, 08:09 | Aktualitet

Meteorologia e A2 CNN, Tanja Porja paralajmëroi ndryshime të ndjeshme të motit gjatë kësaj jave, me ulje të temperaturave dhe rikthim të reshjeve në të gjithë territorin e Shqipërisë. Sipas saj, nga dita e martë dhe në vijim vendi do të përfshihet nga masa ajrore më të ftohta, të cilat do të sjellin rënie të ndjeshme të temperaturave.

“Nuk është asgjë fresku sot me atë çfarë pritet ditën e martë dhe të mërkurën dhe pjesërisht të enjten. Vjeshtën do ta ndjejmë vetëm nga nesër dhe në vijim në të gjithë territorin shqiptar. Të paktën nga pikëpamja e temperaturave dhe të premte dhe të shtunën presim reshje të bollshme. Përgjithësisht për këtë javë do të kemi ndryshime drastike të temperaturave”, tha meteorologia Tanja Porja në Dita Jonë me Anila Teliti Çela.

Porja theksoi se reshje të pakta dhe afatshkurtra priten kryesisht në juglindje, në zonat e Gjirokastrës, Përmetit, Kolonjës, Korçës, Tirana, ndërsa Elbasani dhe Librazhdi do të kenë rrebeshe afatshkurtra.

Sipas saj, reshjet më të konsiderueshme priten të premten dhe të shtunën, kur një pjesë e mirë e territorit do të përfshihet nga mot i paqëndrueshëm dhe shira më të bollshëm.

Era pritet të forcohet, veçanërisht në zonat bregdetare dhe hapësirat detare, ndërsa në veri dhe verilindje do të fryjë me intensitet më të lartë.

Meteorologia e A2 CNN, theksoi se temperaturat e larta prej 30-32 gradësh të ditës së sotme do të jenë ndër të fundit të këtij sezoni, pasi në ditët në vijim termometri nuk pritet të arrijë më vlerat 30 gradë Celsius, duke shënuar hyrjen e plotë të vendit në stinën e vjeshtës.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos