
Jo vetëm në Gjermani, Zvicër e Kanada, por edhe në Austri, diaspora shqiptare ka protestuar sot ne mesdite ndaj aktgjykimit dënues për ish-krerët e UÇK-së.
Dhjetëra qytetarë shqiptarë u mblodhën në sheshin Heldenplatz, në Vjenë, në një tubim solidariteti dhe mbështetjeje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Me flamuj kombëtarë dhe flamuj të UÇK-së në duar, protestuesit përcollën mesazhin “Liri për çlirimtarët”, ndërsa gjatë tubimit u dëgjuan edhe thirrje si: “Jo në emrin tim”, “UÇK, UÇK” dhe “O Hashim, ti ku je, krejt Kosovën këtu e ke”.
Në mesin e protestuesve ishte edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prizren, Isë Berisha, i cili tha se tubimi në Vjenë është shprehje e krenarisë, dhimbjes dhe ndërgjegjes kombëtare.
“Sot na ka mbledhur krenaria, dhimbja dhe ndërgjegjja jonë kombëtare. Nuk do të heshtim për dëshmorët tanë, nuk do të heshtim për veteranët tanë, nuk do të heshtim për familjet që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës. Nuk do të heshtim kur vihet në pikëpyetje lufta jonë e lavdishme.”
Tubimi në Vjenë është pjesë e protestave dhe tubimeve të organizuara nga diaspora shqiptare në vende të ndryshme, pas vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Protestuesit në Vjenë shprehën kundërshtimin e tyre ndaj dënimeve dhe kërkuan drejtësi për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (A2 Televizion)