Të hënën e 5 tetorit nis viti i ri akademik. Afro 120mijë studentë rikthehen në auditorët e shkollave të larta publike dhe private, për tri ciklet e studimit. Deri më tani 20 mijë të rinj janë studentë të viteve të para, ku edhe këtë vit peshën më të madhe të pranimeve e mbajnë universitetet publike. 70% e ish-maturantëve kanë zgjedhur fakultete publike.
Arjan Xhelaj kreu i rrjetit akademik shqiptar thotë se shkollat e larta janë në fazat e fundit të raundit të dytë të regjistrimeve. Pas këtij procesi maturantët jo fitues mund të regjistrohen pranë çdo fakulteti aty ku ka kuota të lira, pavarësisht preferencave që kishin shënuar në formularin A2.
Referuar rrjetit akademik shqiptar, universitetet ne rrethe, degët e mësuesisë në publik dhe privat por edhe programe të tjera studimi në universitetet e Tiranës kanë ende kuota të lira.
Ndërsa degët e Mjekësisë, IT dhe inxhinieritë i kanë mbyllur pranimet që në ditët e para të regjistrimeve. (A2 Televizion)