Një nga katër pompat e hidrovorit është përfshirë nga flakët pasi ka punuar me kapacitet të plotë. Incidenti ka ndodhur në momentin kur pompa po operonte në mënyrë intensive për të përballuar ngarkesën e lartë të punës.
Gazetarja e A2 CNN, Jerola Ziaj, raporton se pas shpërthimit të zjarrit, janë stakuar edhe tre pompat e tjera të hidrovorit, duke bërë që sistemi të ndalojë plotësisht funksionimin e tij.
Ndërkohë një nga punonjësit e hidrovorit të Vlorës bëri të ditur për mediat se shkaku i nxjerrjes jashtë funksionit të dy pompave të mëdha janë mbeturinat. Sipas tij kjo situatë është prej 30 vitesh.
“Edhe platea është e bllokuar, na shkatërruan pompat. Janë të katërta në punë dy pompat e mëdha i nxorën jashtë loje. I bëjmë thirrje qeverisë të na sjellë dy pompa të reja. Lloj –lloj mbeturinash kolltuqe, jorganë, dyshekë, thasë. 30 vjet i njëjti muhabet. Kjo situatë ka qenë gjithmonë. Janë problem i vetëm mbeturinat që hedhin njerëzit në kanal. Pompat janë shkatërruar nga mbeturinat që njerëzit hedhin në kanal. Na nxorën dy pompat jashtë funksioni”, tha ai, raporton A2.
Një ditë më parë qyteti i Vlorës u përfshi nga reshje të dendura të shiut, duke shkaktuar përmbytje të disa lagjeve, evakuim të banorëve dhe rrëshqitje dherash. Si pasojë e reshjeve u dëmtuan banesa dhe biznese. (A2 Televizion)