Në pikun e sezonit turistik në plazhin e vjetër në Vlorë, qindra pushues të moshave të ndryshme nga fëmijë deri të moshuar detyrohen të ndajnë hapësirën e rërës dhe madje edhe bregun e detit me automjetet që parkohen sipas dëshirës së drejtuesve të tyre.
“Jo, kjo s'duhet të vazhdojë. Duhet sistemohen këto të ketë një vend apostafat ku të përcaktohet bile edhe nga bashkia se ky vend është për parkim”, thotë një pushues për A2 CNN. “Ka pasur raste që çrregullon qarkullimin edhe mundet të rrezikojnë njerëzit që mund të kalojnë, fëmijët me vrap”. “Mjetet parkohen vend e pa vend. Ka ardhur policia një ditë, sistemoi ca”, tregon një tjetër.
Policia Rrugore dhe ajo bashkiake në Vlorë jashtë kamerës tregojnë se kanë marrë me dhjetëra masa administrative për mjetet që futen në hapësirën e plazhit. Por pavarësisht kësaj numri i mjeteve që vijojnë të parkohen, dhe bashkë me to edhe rreziku për pushuesit, vijon të mbetet i lartë. (A2 Televizion)