Policia e Shtetit “blindon” Tiranën, dy perimetra sigurie për protestën para Parlamentit

Nga A2 CNN
23 Korrik 2026, 08:28 | Aktualitet

Policia e Shtetit “blindon” Tiranën, dy perimetra sigurie

Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa të rrepta sigurie për protestën qytetare të parashikuar për ditën e sotme përpara Parlamentit, ku pritet të zhvillohet edhe seanca e fundit e këtij sesioni parlamentar.

Sipas raportimeve të gazetarit të A2CNN, Igli Çelmeta, uniformat blu kanë ngritur dy perimetra të sigurisë me qëllim menaxhimin e situatës.

Bllokimi me gardh metalik fillon nga qendra tregtare “Toptani” deri përgjatë Rrugës së Elbasanit, duke e bërë të pamundur lëvizjen e kalimtarëve në segmentin që të çon drejt godinës së Kuvendit.

Për të parandaluar çdo incident, në terren janë angazhuar mjete dhe forca të shumta policore, ku katër furgonë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, FNSH, janë në gatishmëri të plotë pranë zonës së protestës, si dhe është vendosur edhe një autobot uji për shpërndarjen e turmave në rast tensionimi të situatës.

Policia po monitoron me vëmendje të gjitha akset kryesore përreth Parlamentit deri në përfundim të seancës plenare.

Policia e Shtetit “blindon” Tiranën, dy perimetra sigurie (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos