Atleti shkodran Franko Burra vazhdon të korrë sukses në arenën ndërkombëtare dhe së fundmi triumfoi në një garë të rëndësishme në Monako, duke fituar medaljen e artë dhe duke konfirmuar formën e tij të shkëlqyer sportive.
Në një intervistë për Dita Jonë në A2 CNN, ai rrëfeu sesi nisi karriera e tij dhe synimet për të ardhmen. Sipas tij medalja e fundit është shpërblimi më i bukur për mundin dhe sakrificat e një sportisti, pavarësisht se kjo sipas tij është medalja e katërt e artë.
“Besoj se ky është shpërblimi më i bukur i një sportisti. Kur mundi dhe djersa shpërblehet me një medalje sidomos edhe ari. Është një aktivitet i rëndësishëm për ne. Për mua ishte hapja e sezonit të garave me medalje dhe ishte super për mua. Pavarësisht se në këtë kampionat është nuk është hera e parë që unë marr medalje, është e katërta herë po ishte edhe rezultati që faktikisht bënin edhe pjesën më të bukur të garë sepse është një rezultat shumë i mirë premtues për gara të ardhshme”.
Atleti tregoi se gara në Monako kishte një rëndësi të veçantë, pasi u zhvillua në një nga pistat më prestigjioze të atletikës në botë. Sipas tij, përgatitja për gara të tilla kërkon stërvitje intensive gjatë gjithë vitit dhe një përkushtim maksimal.
“Kjo është e bukura sepse në Garën e Monakos ishte një pistë epike, sepse është një nga pistat më të mira të botës për momentin, edhe vendi i jep më shumë rëndësi kësaj pjesëmarrjeje. Por përgatitja është e fortë. Jemi gjithë vitin duke bërë stërvitje. Vijmë nga garat e botërorit që zhvilluan në dimër dhe duhej bërë shumë stërvitje”.
Ajo që e bën më të veçantë historinë e tij, është fakti se Burra nuk e kishte menduar kurrë atletikën si profesion. Ai e nisi sportin në moshën 18-vjeçare, krejt rastësisht dhe si një hobi.
“Unë e kam filluar shumë vonë sportin në moshën 18 vjeçare. Rastësisht. Nuk kishte as e planifikuar, filloi si hobi edhe gjithmonë mendoja se do ta ndërpres një ditë. Dhe kështu pak a pak fillova duke bërë garat në kampionatin shqiptar. Dola kampion Shqipërie dhe atëherë fillova të bëj gara ndërkombëtare, ku aty u pozicionova. Sepse në momentin që ti përfaqëson flamurin shqiptar është emocion tjetër”, tha ai në Dita Jonë në A2 CNN.
Objektivi i radhës për atletin shkodran është Kampionati Ballkanik i 20 qershorit, ndërsa synimi madhor mbetet Kampionati Europian Masters që do të zhvillohet në Itali në muajin shtator.
Kemi Kamionatin Ballkanik me datën 20 qershor. Kampionati më i rëndësishëm për momentin që unë kam pikësynimin kryesor janë ato që zhvillohen në Itali në shtator. Besoj që aty është pikës synimi kryesor për të marrë medalje. Është një kampionat shumë i rëndësishëm edhe e kam ndjekur për shumë vite që të marr medaljen. Nuk kam mundur dhe tani do të jetë ndoshta dita”, u shpreh Burra në Dita Jonë në A2 CNN.
Pas çdo suksesi, ai thotë se mbështetja më e madhe vjen nga familja, veçanërisht nga nëna e tij, e cila ka përjetuar nga afër çdo sakrificë, lodhje dhe dëmtim gjatë rrugëtimit sportiv të të birit.
Burra thekson se atletika mbetet një nga sportet më të vështira dhe më të kushtueshme, sidomos për sportistët që synojnë medalje ndërkombëtare apo kualifikimin në Lojërat Olimpike. Sipas tij, Shqipëria ka bërë përparime në infrastrukturën sportive, por ende mbetet larg standardeve të vendeve europiane.
“Problemi kryesor janë kushtet e stërvitjes. Janë bërë investime dhe ka përmirësime, por për të konkurruar në nivelet më të larta duhet më shumë mbështetje dhe financime”, tha ai.
(A2 Televizion)