Protesta e katërt kombëtare, parada e simboleve me "surprizat" për ditëlindjen e Ramës

Nga A2 CNN
5 Korrik 2026, 13:22 | Aktualitet

Protesta e katërt kombëtare, parada e simboleve me

Protesta qytetare kulmoi mbrëmë me tubimin e katërt kombëtar në sheshin para Kryeministrisë. Me kërkesat e pandryshuara, ku kryeson dorëheqja e Edi Ramës si Kryeministër, qytetarët, të cilëve iu bashkuan edhe shqiptarë të diasporës, protestuan për disa orë para godinës së Kryeministrisë.

Por ndryshe nga ditët e shkuara në këtë protestë të katërt kombëtare simbolika ndryshoi. Flamujve kuq e zi, pankartave dhe thirrjeve “Rama burg”, “Berisha burg”, “Rama jep dorëheqjen” apo “Shqipëri e re”, iu shtuan edhe disa elementë.

Për kryeministrin Rama, që dje festoi ditëlindjen, protestuesit i kishin një tortë prej betoni. Simbolika lidhet me investimin në Zvërnec, pasi tortës i ishin vënë edhe disa flamingo. Ndërsa në majë të tortës shkruhej “Shumë burg për ty!”. “Edhe 100 vite në burg!”, ishte ‘urimi’ i tyre. Torta shoqërohej edhe nga një paradë flamingosh. Një tjetër simbolikë erdhi në protestën para Kryeministrisë. Studentët sollën një statujë të ideuar për të përfaqësuar kryeministrin Rama, e cila ishte me syze të kuqe. Në qafë i kishin varur një fletë ku shkruhej “Diktatori i fundit”.

Duke kujtuar rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991, ata rrëzuan edhe këtë statujë, duke e ndarë më dysh dhe shkelmuar, si “surprizë” për 62-vjetorin.

Protesta tashmë ka hyrë në muajin e dytë, ndërsa mbetet e paqartë se si do të vijojë në ditët në vijim. Qeveria nuk ka trajtuar pesë kërkesat e paraqitura nga protestuesit, ku kushti i panegociueshëm mbetet largimi i kreut të qeverisë. Nga ana e tij, Rama është shprehur i vendosur të qëndrojë në detyrë deri në përfundim të mandatit dhe ka deklaruar se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në vitin 2029.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos