"Qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme", gazetari tregon kërkesat e protestuesve

Nga A2 CNN
14 Tetor 2026, 16:17 | Aktualitet

Vijon prej gati 6 orësh protesta në Tiranë, e shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Gazetari i A2 CNN Armend Pire raportoi në Ditarin me Pandi Gjatën në A2 CNN se situata është përshkallëzuar pranë Ministrisë së Arsimit.

“Protestuesit kanë hedhur gurë dhe mjete të forta në drejtim të policisë, ndërsa efektivët janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë me presion nga dy autobotë. Protestuesit kanë krijuar barrikada me kosha mbeturinash dhe stola, disa prej të cilëve janë përfshirë nga flakët. Ndërkohë, është raportuar edhe për zjarrvënie dhe dëmtime në një institucion financiar”, raportoi gazetari i A2 CNN Armend Pire.

"Qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme", gazetari tregon

Thirrjet kryesore të protestuesve janë për dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike, e cila, sipas tyre, duhet t'i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

“Rama jepet dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, janë thirrjet e protestuesve në kor në mënyrë të organizuar të cilët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë si një nga pikat kryesore të tyre dhe duket se aspekti studentor sa i përket kërkesave për një sistem arsimor më cilësor, më të subvencionuar duket se ka kaluar në plan të dytë. Dhe tashmë protesta është duke marrë trajtat e revolucionit flamingo që ndodh përpara sheshit të kryeministrisë dhe me barrikadën e krijuar protestuesit e kanë më të thjeshtë të afrohen përpara godinës së Ministrisë së Arsimit dhe janë vazhdimisht duke hedhur gurë dhe mjete të tjera ndaj autoboteve të ujit të cilët vazhdimisht shpërndajnë ujë me presion, por që duket se është e vështirë shpërndarja e protestuesve”, raportoi gazetari i A2 CNN.

"Qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme", gazetari tregon

Ata shprehen se qeveria duhet të ketë mundësinë të rikandidojë në zgjedhje pas krijimit të kushteve për një proces të ri zgjedhor.

"Qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme", gazetari tregon

Ndërkohë nga sheshi Skënderbej gazetari i A2 CNN, Anesti Bajramemaj raportoi se protestuesit u vënë flakën stolave duke krijuar një tjetër barrikadë me pemë e shkurre.

“Protestuesit u kanë vënë flakën stolave të zhvendosur nga sheshi Skënderbej drejt unazës së vogël të Tiranës, duke krijuar një tjetër barrikadë. Ata vijojnë të hedhin në zjarr edhe pemë e shkurre të shkulura nga lulishtja, ndërsa flakët janë përhapur dhe zona është mbuluar nga tymi i zi. Prania e zjarrit dhe trafiku i rënduar vështirësojnë ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe autobotëve të policisë. Ndërkohë, një ambulancë ka mbërritur pranë zonës së protestës”, raportoi gazetari. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos