Studentët thirrje policëve: Nuk jemi kundërshtarë! Jeni betuar te Kushtetuta, jo te Kryeministri

Nga A2 CNN
14 Tetor 2026, 15:06 | Aktualitet

Studentët thirrje policëve: Nuk jemi kundërshtarë! Jeni

Studentët protestues i kanë bërë thirrje Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese që të kryejnë detyrën e tyre konform ligjit dhe të mos ushtrojnë dhunë ndaj tyre. Në një komunikatë të publikuar pas asaj të Policisë së Shtetit, ata janë përgjigjur duke i kujtuar se ndaj kujt janë betuar për të ushtruar profesionin e tyre.

“Ju drejtohemi jo si kundërshtarë, por si të rinj të këtij vendi, si bij e bija të familjeve shqiptare, që kërkojmë të ushtrojmë të drejtat tona dhe të kthehemi shëndoshë e mirë në shtëpi.

Mos harroni se betimin e keni bërë përpara flamurit kuqezi dhe Kushtetutës, jo përpara një kryeministri, ministri apo partie politike. Detyra juaj është t'i shërbeni Shqipërisë dhe të mbroni qytetarët e saj, pavarësisht bindjeve politike.

Qeveritë vijnë e ikin. Kryeministrat ndërrohen. Shqipëria mbetet. Kur ata që sot japin urdhra të mos jenë më në pushtet, ju do të mbeteni përballë ndërgjegjes suaj dhe përgjegjësisë për veprimet tuaja”, thonë ata.

Studentët thirrje policëve: Nuk jemi kundërshtarë! Jeni

“Mos harroni se për çdo veprim të paligjshëm do të përgjigjeni personalisht përpara drejtësisë. Rama nuk do të jetë aty për t'ju mbrojtur. Siç nuk ka mundur t'i mbrojë nga përballja me drejtësinë njerëzit e tij të afërt, nuk mund t'ju garantojë paprekshmëri as juve. Asnjë urdhër politik nuk ju vendos mbi ligjin. Mos rrezikoni lirinë, karrierën dhe të ardhmen tuaj për të mbrojtur pushtetin e dikujt tjetër.

Ju lutemi, tregoni vetëpërmbajtje! Mos pranoni urdhra të paligjshëm, mos përdorni forcë joproporcionale dhe mos lejoni që tensioni i një çasti të lërë plagë për gjithë jetën.

Ne e dimë se pas çdo uniforme është një njeri, një prind, një bir apo një bijë. Por edhe pas secilit prej nesh është një familje, një nënë që pret me ankth kthimin tonë, një baba që shpreson të na shohë të hyjmë shëndoshë e mirë në shtëpi.

Ne nuk jemi armiqtë tuaj. Jemi studentë, jemi të rinjtë e këtij vendi. Mund të ishim fëmijët tuaj, motrat apo vëllezërit tuaj. Mendoni për këtë përpara se të ngrini dorën ndaj nesh.

Nuk kemi dalë në rrugë për t'u përleshur me ju. Kemi dalë sepse duam të dëgjohet zëri ynë, sepse na shqetëson e ardhmja jonë dhe sepse besojmë se Shqipëria duhet të jetë një vend ku të rinjtë protestojnë pa frikë nga dhuna.

Uniforma që mbani është simbol i Republikës, jo pronë e qeverisë Rama. Nesër do të jemi sërish bashkëqytetarë, fqinjë dhe prindër të fëmijëve që do të rriten në të njëjtin vend. Mos lejoni që politika të na kthejë kundër njëri-tjetrit.

Ne kërkojmë nga ju të na mbroni, jo të na frikësoni. Të garantoni sigurinë tonë, jo të na trajtoni si kërcënim. Të respektoni të drejtën tonë për të protestuar, ashtu siç ne respektojmë detyrën tuaj për të ruajtur rendin.

Asnjë karrige pushteti nuk vlen sa jeta e një të riu. Asnjë urdhër i paligjshëm nuk vlen sa liria dhe dinjiteti juaj.

Besnikëria ndaj atdheut nuk provohet duke mbrojtur pushtetin e një kryeministri, por duke mbrojtur jetën, lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve.

Mos harroni se flamuri përpara të cilit jeni betuar është i njëjti flamur që mbajmë edhe ne.

Mos harroni: “Shqipëria do të rrojë, Për të, për të luftojmë ne”.”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos