
Në Maliq është zhvilluar protesta e paralajmëruar kundër shkrirjes së Bashkisë Maliq dhe bashkimit të saj me Bashkinë Korçë.
Gjatë protestës, në momentin kur gazetarët po intervistonin disa prej protestuesve, ka pasur një përplasje mes tyre dhe organizatorit të protestës, Arjan Asimit.
Sipas gazetarëve të pranishëm, Asimi ka ndërprerë intervistat, duke i akuzuar mediat si të shitura dhe në shërbim të pushtetit. Situata është tensionuar më tej, ndërsa ndaj gazetarëve janë përdorur edhe ofendime dhe ka pasur përplasje fizike, shkruan A2.
Gazetarët kanë ndërprerë intervistat dhe janë larguar nga protesta, duke kundërshtuar akuzat dhe sjelljen ndaj tyre gjatë ushtrimit të detyrës.
Pas incidentit, gazetarët i janë drejtuar Komisariatit të Policisë Maliq, ku kanë kërkuar marrjen e masave lidhur me pengimin e ushtrimit të detyrës, përplasjen fizike dhe denigrimin e figurës së tyre.
Arjan Asimi është i njohur publikisht edhe si eksponent politik i subjektit “Shqipëria Bëhet”. (A2 Televizion)