Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur rritjen e pagës referuese për gjyqtarët në Shqipëri me 65.600 lekë. Vendimi u miratua të mërkurën me 9 vota pro dhe asnjë kundër. Sipas KLGJ-së, rritja do të zbatohet nga 1 gushti 2026.
Me ndryshimin e ri, paga referuese e gjyqtarëve shkon në 222.425 lekë, nga 156.800 lekë që ishte më parë. Kësaj shume i shtohet edhe shtesa për nivelin e kualifikimit, prej 14.000 lekësh.
KLGJ ka miratuar gjithashtu propozimin për kompensimin e rritjes së pagës që, sipas tij, mungon për periudhën nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.
Pas vendimit ka reaguar edhe Partia Demokratike. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e ka cilësuar situatën si një ngërç serioz institucional.
Bardhi akuzon qeverinë dhe mazhorancën se kanë refuzuar në mënyrë të vazhdueshme të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se kjo vë në rrezik funksionimin demokratik të shtetit dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
Që nga 1 gushti 2026, sistemi gjyqësor në vend ka mbetur pa një bazë të qartë ligjore për të justifikuar trajtimin financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës. Dispozitat ligjore përkatëse janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me efekt nga 31 korriku 2026.
“Sot, me një akt të paprecedentë, sistemi gjyqësor, përmes Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka përcaktuar pagën e vet, duke marrë përsipër kompetenca që i takojnë ligjvënësit. Mosveprimi i Kuvendit dhe moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbëjnë një shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese dhe të shtetit të së drejtës, me pasoja serioze për funksionimin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve te demokracia”, është shprehur Bardhi.
“Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht, më 2 shkurt të këtij viti, kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve lidhur me përllogaritjen e rritjes së pagës së magjistratëve, pavarësisht kundërshtimit publik të Kryeministrit Edi Rama ndaj kërkesës së paraqitur nga gjyqtarët”. (A2 Televizion)