Seanca e parë gjyqësore, Meta: Akuza ka fshehur dëshmi e fakte, Kryemadhi: Për ne më i rëndësishëm gjykimi publik

Nga A2 CNN
5 Qershor 2026, 12:21 | Aktualitet

Seanca e parë gjyqësore, Meta: Akuza ka fshehur dëshmi e fakte,

Në seancën e parë gjyqësore Ilir Meta ngriti shqetësime për mënyrën e administrimit të provave nga prokuroria. Ai pretendoi se gjatë fazës paraprake janë fshehur prova dhe fakte që, teksa theksoi se  procesi ka ndikim edhe në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

“Do të ishte e rëndësishme të rivlerësoni praninë e medias. Në aspektin procedurial, se unë jam partizan i përqëndrimit. Duhet të përqëndrohemi tek thelbi i akuzave të prokurorëve, që edhe ne të kemi mundësi të përgjigjemi. Pas insistimit të vazhdueshëm, na janë dhënë fashikujt, por pa procesverbal. Avokati i ka me USB. Gjatë gjykimit paraprak është provuar se pala e akuzës ka fshehur dëshmi, apo fakte që nuk janë në interesin e saj. Së dyti, ky proces afekton marrëdhënien shqiptaro-amerikane. Prokuroria nuk është treguar luajale. Për çështjen e lobingut nga departamenti i drejtësisë kanë ardhur dy përgjigje të ndryshme. Shqetësimi im është, tendenca e provuar për të fshehur fakte dhe prova që nuk janë në interesin e akuzës”.

Gjykata e Posaçme refuzoi kërkesën e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhi, kërkesa për transmetimin live të procesit.

Monika Kryemadhi këmbënguli se gjykimi duhet të jetë publik dhe i transmetuar drejtpërdrejt, duke argumentuar se bëhet fjalë për figura publike dhe se transparenca është e domosdoshme.

“Duke qenë se jam vetë fajtore e këtij procesi gjyqësor, unë e di çfarë kam shkaktuar. Dua që të garantohet transmetimi live. Për ne është më i rëndësishëm gjykimi mediatik, publik. Ne nuk jemi njerëz të zakonshëm. Ne kemi qenë prezent kur u fsheh ngjarja e zvarritjes në Zvërnec, më pas u bë publike. Tani imagjinoni sot, kur u mor zvarrë Presidenti i Republikës nga 5 policë, dy prej të cilëve sot janë arrestuar, sesi ngjarja u tentua të mos bëhej publike”, u shpreh Kryemadhi.

Nga ana tjetër, gjyqtari Erion Bani argumentoi se “gjykata nuk gjykon me perceptime dhe opinione, por me fakte”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos