U dhunua nga burri, shqiptarja jep mesazhin: E kam falur por s'mund të rikthehem me të

Nga A2 CNN
15 Qershor 2026, 12:06 | Aktualitet

Saranda Lubishtani ka ndarë në Dita Jonë në A2 CNN historinë e saj të vështirë, duke treguar se ka jetuar për vite me radhë nën dhunë fizike dhe psikologjike nga ish-bashkëshorti i saj. Megjithatë ajo thotë se e ka falur, por mund të rikthehet më në atë marrëdhënie.

“Unë me falur, e kam falur se përderisa Zoti na fal neve, kush jemi ne. Ama për me u kthyer nuk kthehem”.

Pas ndarjes, Saranda u përball me një tjetër sfidë të rëndë. Një ditë, teksa po përgatiste ushqim për fëmijët, ndjeu një mpirje të fortë në trup dhe u rrëzua. Mjekët i thanë se mund të mos ecte më kurrë, një lajm që e tronditi.

“Isha në shtëpi kur më ka ndodhur. Isha duke bërë bukë për fëmijë. Pastaj vetëm shkova andej në sallon për me marrë telefonin e jam rrëzuar. Nuk i ndjeva këmbët. Ishte shumë vështirë por unë e kam familjen këtu. Familja ime gjithmonë më ka ndihmuar prej se jam ndarë, që 12 vite gjithmonë jam afër meje në çdo hap që bëj kështu. Nuk munda të eci 2-3 muaj. Në spital më thanë që nuk mund me ec më. Dhe aty i humba krejt shpresat”, tha ajo në Dita Jonë në A2 CNN.

Megjithatë, ajo refuzoi të dorëzohej. Me ndihmën e familjes, fizioterapisë dhe forcës që i dhanë dy fëmijët e saj, Saranda nisi një betejë të gjatë për t’u rikthyer në këmbë.

“Nuk kisha kohë të dorëzohesha. I kam dy fëmijë dhe duhej të luftoja për ta”, rrëfen ajo.

Lubishtani beson se paraliza erdhi si pasojë e stresit të akumuluar ndër vite, por nuk e lejoi veten të mbytej nga dëshpërimi. Përkundrazi, vendosi të ndiqte ëndrrën e saj për muzikën, duke regjistruar këngë edhe gjatë kohës që ndodhej në spital.

Ajo u bën thirrje grave që përjetojnë dhunë të mos heshtin dhe të mos qëndrojnë në marrëdhënie që u rrezikojnë jetën dhe mirëqenien.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos