Artan Fuga: Lëvizja kolektive ka dobësuar qeverinë, protesta po sfidon modelin politik

Nga A2 CNN
14 Qershor 2026, 22:02 | Aktualitet

Akademiku Artan Fuga, në një lidhje online për emisionin “Terminal” me Aurora Sulçe në A2 CNN, komentoi protestat e të rinjve, duke i cilësuar ato si shprehje të një pakënaqësie të akumuluar prej vitesh ndaj establishmentit politik dhe institucioneve.

Sipas Fugës, protesta nuk ka lindur papritur, por është paraprirë nga një ndërgjegje kritike që ka qenë e dukshme prej kohësh në rrjetet sociale dhe në qëndrimet e qytetarëve ndaj politikës.

Protestën e kam parë në vazhdim të pakënaqësive disa vjeçare, të cilat i kam konstatuar në rrjetet sociale. Gjithmonë kam thënë se nuk është e vërtetë që qytetari shqiptar nuk ka ndërgjegje kritike.

Dukej qartë që në ndërgjegjen e qytetarëve diçka po përgatitej, një lloj revolte që në një moment do të shpërthente”, u shpreh ai.

Fuga theksoi se nuk e sheh lëvizjen vetëm si një reagim ndaj çështjeve ambientaliste, por si një kundërshtim më të gjerë ndaj mënyrës së vendimmarrjes në vend.

Qytetari ndihet i përjashtuar dhe përballë një autoritarizmi, përballë një vendimmarrjeje që e përjashton atë. Çështjet ambientaliste janë çështje politike, sepse kanë të bëjnë me mënyrën se si merren vendimet”, tha akademiku.

Ai nënvizoi se shoqëria shqiptare, për shkak të emigracionit të lartë, mungesës së sindikatave dhe organizimeve shoqërore, si edhe fragmentarizimit social, e ka të vështirë të prodhojë lëvizje kolektive të qëndrueshme.

“Ne kemi një shoqëri të atomizuar, me individë të izoluar, mungesë sindikatash dhe organizimesh shoqërore. Në këto kushte, një lëvizje kolektive që vazhdon prej 15 ditësh është një fenomen që kapërcen të gjitha pengesat sociale që normalisht do ta bënin të pamundur”, deklaroi Fuga.

Sipas tij, vetë fakti që protesta ka arritur të mobilizojë qytetarë për një periudhë të gjatë kohore tregon se ajo ka prodhuar tashmë efekt politik.

“Lëvizja kolektive ka arritur të dobësojë qeverinë në kuptimin politik, sepse ka treguar se ekziston një pakënaqësi e organizuar që nuk mund të injorohet”, vlerësoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos