Valbona turistike, më shumë izraelitë dhe amerikanë këtë sezon në Alpe

Nga Ervin Mehmeti dhe Armend Pire
8 Gusht 2026, 20:02 | Aktualitet

Izraelitët dhe amerikanët janë turistët më të shumtë gjatë këtij sezoni në luginën e Valbonës. Të paktën kështu rrëfejnë operatorët turistikë dhe banorët që kanë mirëpritur në luginën shqiptare turistët e huaj edhe këtë sezon turistik.

“Këtë vit ka pasur shumë izraelitë, si dhe amerikanë. Interesi i tyre nuk kufizohet vetëm te Alpet shqiptare, por përfshin edhe destinacione turistike në jug të vendit”, tregon për A2 CNN Klement Selimaj, sipërmarrës turistik.

Turistët që vizitojnë Valbonën qëndrojnë mesatarisht tre ditë. Sipas Selimajt, interesi i tyre nuk kufizohet vetëm te Alpet Shqiptare, por përfshin edhe destinacionet turistike në jug të vendit. “Nuk është se qëndrojnë shumë gjatë, sepse ndoshta një ndër arsyet është që dëshira e një turisti të huaj që vjen këtu është ta shohë të gjithë Shqipërinë, jo vetëm Valbonën, por pjesën më të madhe të Alpeve, si dhe jugun”, thotë Selimaj.

Shtigjet malore, mikpritja e banorëve, ushqimet tradicionale dhe peizazhet alpine e bëjnë Valbonën një destinacion të preferuar në çdo stinë. Megjithatë, turistët vijojnë të shprehin ankesa për mirëmbajtjen dhe pastërtinë e ambientit.

“98% e turistëve janë mjaft të kënaqur me mikpritjen, me ushqimin dhe tani edhe me akomodimin, sepse kushtet janë përmirësuar krahasuar me më parë. Mund të ketë edhe ndonjë ankesë të vogël, sidomos te pjesa e mbetjeve, sepse ky është problemi më i madh për turizmin në Shqipëri. Pjesa e mbetjeve mbetet ende një gangrenë e madhe”, tregon Selimaj.

Një tjetër problematikë mbetet mungesa e aktiviteteve kulturore dhe sportive, të cilat, sipas Selimajt, do të ndikonin në zgjatjen e qëndrimit të turistëve në luginën e Valbonës. “Mungojnë aktivitetet realisht, sepse përveçse të bësh ngjitje malore (hiking), për shembull këtu në Valbonë nuk është se ofrohet diçka më shumë”, thotë Selimaj.

Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” në qershor dhe korrik u vizitua nga 24 mijë e 55 turistë, nga të cilët 11 860 ishin vendas dhe 12 195 të huaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos