
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Pogradecin, ku një 37-vjeçare shtatzënë, Marjana Karolina Bunaj, ka humbur jetën teksa po transportohej drejt Tiranës për ndihmë të specializuar mjekësore.
Motra e të ndjerës, Albina Mekolli, kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave, duke shtuar se një ndërhyrje apo transport më i shpejtë mund të kishte ndryshuar fatin e motrës së saj.
“Në orën 12 më merr në telefon dhe më tha: Eja se kam dhimbje të forta barku. Shkova shumë shpejt sepse jemi afër. E çova në maternitet sepse ishte shtatzënë. Mjekja roje i bëri një vizitë, një eko dhe tha se ka një gjakderdhje të brendshme”, rrëfeu Albina.
Sipas motrës, gjatë kësaj kohe u diskutua edhe mundësia e transportit me helikopter, por kjo nuk u realizua.
“Dëgjova që po thonin helikopterin, por u shprehën se nuk vjen dot sepse është natë”, tregoi ajo.
Më tej, sipas dëshmisë së saj, Marjana u dërgua te reanimacioni, ndërsa familjarët pretendojnë se pati vonesa përpara nisjes me ambulancë drejt Tiranës.
“Mjekja foli me dikë dhe erdhën mjekët e reanimacionit, e dërguan atje dhe pati vonesa. Me ambulancë e nisën pas orës 4 të mëngjesit. Në Pogradec nuk iu bë asnjë ndërhyrje kirurgjikale. Në tre orë i vunë vigonë për serume dhe gjak”, deklaroi Albina.
“Nëse do të ishim nisur pak më parë, do të më kishte shpëtuar motra të paktën, sepse mbase fëmija nuk do të kishte shpëtuar. Mbase nëse arrinim më herët në Tiranë do të shpëtonte”, tha ajo.
“Kërkoj drejtësi, të zbardhet e vërteta, a ndërroi jetë nga pakujdesia apo jo. Unë besoj që nëse do të kishte më shumë shpejtësi, sot do të ishte mes nesh”, u shpreh motra e Marjana Karolina Bunajt. (A2 Televizion)