Zjarret në Shqipëri, reagon Von Der Leyen: Në gatishmëri për t’iu ardhur në ndihmë

Nga A2 CNN
15 Gusht 2026, 20:13 | Aktualitet

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagon për situatën e zjarreve në Evropë, teksa përmend edhe Shqipërinë mes vendeve që po përballen me një situatë të vështirë.

Në një postim në rrjetin social X, ajo bëri të ditur se BE-ja po monitoron situatën dhe se Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile është në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë vendeve që kanë nevojë.

“Evropa mbetet në gatishmëri të lartë për zjarret masive. Presioni po rritet në Shqipëri, Belgjikë, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë. Sistemi ynë satelitor Copernicus po mbështet tashmë operacionet e hartëzimit. Përmes Qendrës së Emergjencave, Evropa po monitoron nga afër zjarret në të gjithë kontinentin. Dhe Mekanizmi i Mbrojtjes Civile është aty sa herë që një vend kërkon solidaritetin e Evropës”, shkruan von der Leyen, përcjell A2 CNN.

Situata më problematike në vend paraqitet nga zjarri që vijon prej ditësh në Lurë të Matit. Flakët kanë rrezikuar edhe banesat, ndërsa banorë, zjarrfikës dhe forcat e armatosura kanë ndërhyrë për të mbajtur nën kontroll flakët. Ministria e Mbrojtjes raporton se në Parkun Kombëtar të Lurës janë aktivizuar dy avionë dhe një autobot uji. Kjo ndërhyrje ka shmangur edhe rrezikun për banesat. Sipas policisë, në Lurë zjarri dyshohet se është i qëllimshëm, ndërsa janë proceduar shefi i monitorimit të parkut dhe dy roje mjedisi.

Edhe në Dajt, dy helikopterë po punojnë për shuarjen e vatrës mbi tunelet e Qafë-Mollës, ndërsa raportohet se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Krujë, vatra në Abaze vijon të jetë aktive, ndërsa po mbahet nën monitorim. Një vatër e re zjarri është shfaqur në Tërbun të Pukës. Socialistët Ulsi Manja dhe Taulant Balla kanë kërkuar reagim të fortë nga policia dhe prokuroria për të vënë para përgjegjësisë autorët.

Kodi Penal parashikon dënime deri në 20 vite burg për zjarrvënien e qëllimshme të pyjeve, por sipas socialistëve, të dhënat për hetimet dhe dënimet tregojnë një situatë shqetësuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos